Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë dy ditore në Kosovë ku do të takohet me liderët politikë në vend.

Ditën e sotme (29 qershor), Rama takoi edhe kreun e Nismës SocialDemokrate Fatmir Limaj.

Përmes një postimi në Facebook, Limaj shkruan se me kryeministrin Rama u konstatua se drejtuesit e institucioneve në Kosovë duhet të tregojnë̈ lidership të vërtetë në këto rrethana në të cilat po kalon vendi.

Limaj thekson gjithashtu se Kosova nuk guxon të humbasë orientimin e saj dhe se faktori politik duhet t'i përgjigjet me kujdes situatës.

Postimi i plotë i Limajt në Facebook

''Sot patëm kënaqësinë të mirëpresim në selinë e Nismës Socialdemokrate, kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, me bashkëpunëtorë, me të cilin diskutuam për zhvillimet aktuale, me theks të veçantë për mundësinë e koordinimit të veprimeve që duhet ndërmarrim si spektër politik në Kosovë pas situatës së krijuar në vendin tonë.

Bashkërisht konstatuam se drejtuesit e institucioneve në Kosovë duhet të tregojnë̈ lidership të vërtetë në këto rrethana në të cilat po kalon vendi. Është përgjegjësi e udhëheqësve të forcave politike dhe institucioneve shtetërorë të Kosovës që t’i lemë anash dallimet dhe të veprojmë me gjakftohtësi të madhe në interes të vendit.

Kosova nuk guxon të humbas orientimin e saj dhe duhet t’i përgjigjemi me kujdes situatës, si dhe në të njëjtën kohë jam i bindur se ne do të dalim me të fortë nga kjo situatë.

Kryeministri Rama u shpreh i gatshëm që të ofroi gjithë ndihmën e shtetit shqiptar në çdo proces nëpër të cilat mund të kaloj Kosova.''

Më herët, kryeminstri Rama takoi kryeparlamentaren Vjosa Osmanin, kryeministrin e Kosovës Avdullah Hotin dhe ish-kryeministrin e liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti.

Në orën 20:00 presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pritet tu drejtohet qytetarëve lidhur me situatën e krijuar pas publikimit të akuzave të pakonfirmuara ndaj tij dhe një grupi pjesëtarësh të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


/Ora News.tv/