Takimi Kotzias-Bushati, Goro: SHBA dhe BE kanë kërkuar zgjidhjen e problemeve

Takimi Kotzias-Bushati, Goro: SHBA dhe BE kanë kërkuar zgjidhjen e

Takimi mes dy ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë u prit me shumë interes, sidomos në Shqipëri pavarësisht se nuk u arrit asnjë marrëveshje. Gazetari i Ora News në Greqi, Robert Goro në një lidhje me skype nga Athina ka treguar jehonën që i është bërë atij këtij takimi.

Sipas Goros, takimi Kotzias-Bushati nuk ka pasur jehonë të madhe në mediat greke, kjo edhe për faktin se edhe pala greke është e interesuar për zgjidhjen e disa çështjeve.

Goro deklaroi se nuk përjashtohet mundësia qe Uashingtoni dhe Brukseli i kanë kërkuar vazhdimisht Athinës dhe Tiranës që të ulen për të sheshuar të gjitha problemet që kanë.

Gazetari Goro tha se në tryezën e diskutimit janë trajtuar të gjitha çështjet, ku janë hedhur edhe pika ujdie për ligjin e luftës, marrëveshjen për detin apo edhe çështjen e varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri.

Ai tha gjithashtu se ka pasur shenja marrëveshje dhe tani është çështje kohe që të paktën disa prej tyre të publikohen.

Intervista në “Arena” me gazetarin Robert Goro

Si ka qenë jehona e takimit të ministrit Bushati dhe Kotcias në Greqi?

Goro: Takimi nuk ka pasur ndonjë jehonë të madhe, por gjithsesi janë publikuar vetëm disa njoftime të shkurtra. Të përcjella nga Agjencia Kombëtare e Lajmeve. Ndërkohë deklaratën e përbashkët të dy ministrave, e kanë publikur pothuajse të gjitha mediat kryesore, pa e shoqëruar me ndonjë koment të veçantë. Ka pasur një lloj vakumi informativ si nga pala greke, ashtu edhe nga ajo shqiptare. Por, kjo ishte një marrëveshje midis dy ministrave, e cila duket se është në shërbim të idesë së tyre për të punuar pa trysninë e opinionit publik. Madje nuk ka pasur as kronika televizive, televizioni shtetëror bëri kronikë vetëm kur ministrat bënë atë "ekskursionin" e famshëm dhe kërcyen.

Në Shqipëri flitet për një zgjidhje finale të problemit, ka pasur të njejtat pritshmëri edhe në Greqi?

Goro: Ministri i Jashtëm grek, disa ditë para takimit, tha se shpresonte të zgjidhte sa më shumë nga problemet e nxehta midis dy palëve. Por, në fund të takimit, nuk është finalizuar zgjidhja për asnjë prej tyre. Duket se të dy ministrat, të cilët kanë pasur një komunikim të vazhdueshëm gjatë gjithë ditëve të takimit, kanë piketuar sesi do të jenë këto zgjidhje. Ndofta po përpunohet formula sesi do t'i përcillen  opinionet publike.

Opinioni grek, a ka qenë në dijeni për kompleksitetin e marrëdhënieve dy palëshe shqiptaro-greke?

Goro: Ky takim nuk është një temë kaq e nxehtë siç është në Shqipëri. Kjo për shkak të krizës, e cila po bën 8 vjet që ka përfshirë Greqinë. Njerëzit  dhe mediat kanë preokupime të tjera. Sigurisht, ka një kategori të interesuarish, e ata janë emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi. Sepse zgjidhja e disa prej problemeve kyçe të axhendës së marrëdhënieve shqiptaro-greke, ndikojnë drejtpërdrejtë tek ata. Siç është mosnjohja nga pala greke e vulës Apostile.

A ka pasur një zhvillim konkret në çështjet e marrëveshjes së detit, varrezave, lumenjve, marrëveshjes së piramidave, ligjit të luftës, çamëve etj?

Goro: Disa prej këtyre çështjeve i interesojnë shumë palës greke, e të tjera palës shqiptare. Kështu shpjegohet edhe vullneti i Tiranës e Athinës, për tu ulur në tryezën e bisedimeve dhe për të kërkuar zgjidhje. Patjetër që janë diskutuar të gjitha, edhe pse kjo gjë nuk është thënë zyrtarisht. Por, burime të brendshme na kanë thënë se janë hedhur pika ujdie. Marrëveshja përfundimtare nuk është arritur, qoftë për gjendjen e luftës, detit apo varrezave greke. Është çështje kohe që të paktën disa prej tyre edhe të publikohen.

Si kanë reaguar segmente të shoqërisë greke, si Kisha apo qarqet nacionaliste vorioepirote?

Goro: Nuk ka pasur reagime, siç mund të ketë ndodhur vite më parë. Kjo ndofta edhe për arsyen se edhe pala greke është e interesuar për zgjidhjen e problemeve. Ka pasur disa analistë të vokacionit të djathtë, të cilët janë shprehur kundër këtyre bisedimeve. Madje ata kanë thënë se do të duhet që shteti grek, t'iu vështirësojë jetën e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Me qëllim që Tirana "të vejë mend".

A ka një nuancë të ndryshme qasja e qeverisë së Syrizas, ndaj marrëdhënieve me Shqipërinë apo kemi vazhdimin e politikave tradicionale?

Goro: Para se të vinte në qeveri, Syriza ka pasur pikëpamje shumë të guximshme, sa i takon politikës së jashtme. Madje dhe për çështjen e emrit kushtetues të Maqedonisë. Por, duket se ardhja në pushtet, e ka bërë më realiste dhe pragmatiste. Politika e jashtme e Syrizas është që çdo problem i cili ekziston me fqinjët, duhet të thuhet e të diskutohen zgjidhjet. Politika e  jashtme greke i përgjigjet me të njëjtën  monedhë, qëndrimit publik të Tiranës. Ajo që mbetet për tu parë është se çfarë rezultati do të ketë ky qëndrim, qoftë në raport me Shqipërinë, si edhe me Maqedoninë e Turqinë. Vlen të ritheksohet që shumë shpejt në Greqi do të vijë Presidenti i Turqisë, Tayyip Erdogan. Në një moment kur marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë janë sërish të acaruara.

A mendohet që ky takim vjen si rezultat i presionit amerikan për forcimin e homogjenitetit të aleancës, ku përballë kemi rrëshqitjen e Turqisë në krahun rus?

Goro: Nuk besoj se është kështu, pasi dy ministrat kanë rënë dakord për t'i trajtuar këto çështje, gati 1 vit para se të bëheshin diskutimet për grusht shteti në Turqi. Kohë kur filloi dhe rrëshqitja e Turqisë. Por, nuk përjashtohet as mundësia e përfshirjes së Amerikës. Madje unë e konsideroj si tepër të mundshme që Uashingtoni, por edhe Brukseli; të kenë nxitur si Athinën, ashtu edhe Tiranën. Në mënyrë që sheshojnë sa më tepër probleme.

Sipas jush, përse qeveritë janë duke qëndruar diskrete sa i takon takimit dhe çfarë pritet të ndodhë?

Goro: Ministrat duan që t'i kyçin negociatat, e janë sa më diskretë në mënyrë që të mos influencohen nga opinionet publike. Duan të arrijnë një formulë, të arrihet zgjidhja finale dhe më pas ta servirin. Pavarësisht se ne gazetarë jemi të etur për informacione. Por, mendoj se ajo që ka më tepër rëndësi është rezultati dhe në rast se ky rezultat arrihet me kompromis dhe është pozitiv për të dyja palët, atëherë edhe ne gazetarët do t'ia falim këtë 'zbor', që na kanë bërë gjatë gjithë këtyre ditëve të takimeve, e duke mos na dhënë asnjë informacion. 

EMISIONET