Për politikanin, Veton Surroi, qeveria e Kosovës e kishte humbur legjitimitetin prej kohësh dhe nuk do të mund të kalonte vjeshtën.

Ndaj edhe dorëheqjen e Haradinaj e sheh si një akt politik.

Surroi: Qeveria nuk kishe vota, e kishte humbur legjitimitetin prej kohësh dhe mbahej në një masë të madhe për shkak të një nevoje legjitime që të rezistonte ndaj përpjekjes së presidentit për të hyrë në një proces këmbimi territoresh me Serbinë. Meqë në një masë të madhe u realizua pengimi i këtij projekti, ishte e qartë se vjeshta e hershme do të ishte koha kur do të binte kjo qeveri. Ndaj dhe hapi ka qenë më shumë politik sesa prej ndonjë konteksti tjetër. Do të hyjmë në zgjedhje në një moment që nuk ekziston një parti që mund të udhëheqë vendin, por do të ketë nevojë për koalicione, ndoshta dhe parazgjedhore.

Në një intervistë për RTV Ora me gazetarin Xhoi Malësia,  Surroi e sheh të vështirë krijimin e koalicioneve por jo të pamundur.

Surroi: E vështirë, por ende ka hapësirë për koalicione. Nëse një parti vendos të hyjë në koalicion edhe partitë tjera do të shikojnë. Për shkak të një vendimi të gjykatës Kushtetuese në masë të madhe varet formimi i qeverisë nga partia apo koalicioni i cili fiton më së shumti vota, jo detyrimisht edhe koalicioni që mund të sigurojë ky stabilitet qeverisës.

Duke bërë një bilanc të qeverisë Haradinaj, Surroi rendit arritje, por edhe dështime.

Surroi: Haradinaj ka bërë mirë që i ka prirë procesit të pengimit të ndarjes së Kosovës dhe këmbimit të territoreve dhe ka bërë mirë në shtyrjen e axhendës për formimin e Ushtrisë së Kosovës. Këto janë dy arritjet e kësaj qeverie. Të tjerat janë një radhë veprimesh negative, deri tek dështimet e plota në disa sfera. Është një qeveri që në masë të madhe ka shpenzuar për vetëveten dhe jo qytetarët e Kosovës.

Sa i takon thirrjes së Haradinaj në Hagë, Surroi ndan këtë koment:

Surroi: Besoj se mund të ketë shkuar tek rroftë sebepi. Arsyetimi për dallim nga hera e parë kur ishte i ftuar në Hagë, Haradinaj nuk ishte i akuzuar. Tani kemi një akt, një gjendje të re dhe duhet përqëndruar te ajo.

I pyetur nëse ka një krisje mes PDK dhe AAK-së, ai shprehet:

Surroi: Kemi hyrë në fushatë parazgjedhore dhe do të dëgjojmë tone emotive gjithnjë e më shumë.

Publicisti i njohur nënvizon se partitë politike duhet të lënë jashtë fushatës zgjedhore taksën 100% dhe dialogun me Serbinë, pasi në gjykimin e tij Kosova ka probleme të theksuara socialo-ekonomike.

Surroi: Nuk mendoj se nuk duhet të jenë fare pjesë e axhendës zgjedhore. Duhet të jetë katandisja e gjendjes socio-ekonomike. Kosova po futet në mënyrë dramatike në borxh të brendshëm që brenda dy vitesh do të pengojë stabilitetin makro-financiar. Kosova ka degraduar në arsim, sa 785 e fëmijëve 15-vjeçarë nuk kuptojnë atë që lexojnë dhe Kosova është i vetmi vend në Europë që nuk ka sistem sigurimesh sociale. Nuk ka nevojë që partitë të merren as me taksë dhe as dialog, kërkojnë konsensus të plotë dhe jo garë elektorale.

Dialogu me Serbinë

Duhet të rifillojë me një rikonceptim. Një kornizë që merret me problemet që ka Kosova dhe Serbia, nga të zhdukurit, te dëmet e luftës dhe një projeksion i ardhmërisë.

Ndryshimi i administratës në Bruksel

Duhet të ndodhë një ndryshim. Kosova duhet të instistojë që të ndryshojë konceptualisht procesin negociator në Bruksel. Të bisedojë në mënyrë aktive me shtetet anëtare të BE dhe SHBA dhe të gjendet një format që e shtyn këtë në një proces serioz negociator.

Qasja amerikane ndaj Kosovës

Ka një interesim amerikan. Duhet të ekzistojë një komunikim më serioz. Është problem niveli i komunikimit. Nëse Kosova shkon me nivelin e injorancës me të cilin është paraqitur deri më tani edhe nga SHBA edhe nga partnerët e tjerë nuk do të ketë një përpjekje që në mënyrë sa më të lehtë të mundshme të tejkalohen këto probleme.

Gjermania-SHBA, qëndrimi për këmbimin e territoreve

Fillimisht Kosova nuk dëshiron. Gati 80% e serbëve të Kosovës nuk dëshirojnë të ketë këmbim territoresh. Ka të bëjë jo vetëm me sigurinë rajonale por interesin bazik të qytetarëve të Kosovës. Një pasqyrë e re politike në Kosovë do të ketë nevojë të prezantojë dhe një mendim të ri politik.

Vizita e John Bolton në Kosovë

Nuk besoj se do të ketë vizitë sepse nuk ka me kë të bisedojë në Prishtinë. Nuk bisedohet për çështje të kësaj rëndësie me një qeveri në ikje.

Beogradi për dialogun me Prishtinën

Në Beograd kemi Vuçiç që përfaqëson në masë të madhe fuqinë politike në Serbi. Ka përsëritur disa herë që kërkon marrëveshje me Kosovën. Deri tani ka pasur nivel të dobët përfaqësimi dhe ballafaqimi me të dhe një kornizë e dobët që ka parashikuar se të gjitha problemet do të zgjidhen me këmbim territoresh.Gjatë negociatave në Bruksel, Vuçiç ka parë sesa e dobët është Kosova intelektualisht dhe politikisht me përfaqësuesit e vet dhe e ka shfrytëzuar atë hapësirë. Por problemi i Kosovës nuk zgjidhet me këmbim territoresh. Nëse duam të zgjidhim problemet një kuti aspirinash nuk mjafton. Po të shikoni zhvillimin negociator në Bruksel, çdo vendim ka qenë më i keq se tjetri. Kemi humbur 10 vjet kohë në negociata të kota që në fund sollën taksën 100%. Kjo reflekton sesa jo normale janë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Fushata e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës

Kjo tregon vetëm cic-micet dhe cektësinë e marrëdhënieve politike dhe procesit negociator. Serbia me këto veprime nuk po bën gjë se Kosova do të mbetet e pavarur e njohu apo nuk e njohu një ishull në Paqësor. Kosova do të mbetet e pavarur dhe ky është një proces i pakthyeshëm. Ideja se mund të kthehet pavarësia e Kosovës është nonsens.

Liberalizimi i vizave, kush ka dështuar?

Fillimisht kanë dështuar politikanët e Kosovës, pastaj ka dështuar Brukseli. Brukseli e përdor këtë si kartë politike, jo teknike. Në masë të madhe është një karrem politik që nga Brukseli dhe shtetet anëtare është parë se Kosovës i intereson më së shumti procesi i liberalizimit të vizave për të eksportuar një numër të madh të rinjsh që nuk shohin asnjë perspektivë në Kosovë dhe në këtë mënyrë të kthejnë remitanca mbrapa.




/Ora News.tv/