Sulme kibernetike ndaj gazetave amerikane

Sulme kibernetike ndaj gazetave amerikane

Disa gazeta amerikane këtë fundjavë ranë pre e një sulmi kibernetikë që pezulloi përkohësisht procesin e printimit dhe të shpërndarjes së tyre.

Sulmi i koordinuar i piratëve informatikë kishte si objektiv shtëpinë botuese "Trajbun", e cila boton të përditshmet, si Los Anxheles Tajms, Çikago Trajbun, Baltimor San, si edhe edicionet rajonale të gazetave të mirënjohura, Uoll Strit Xhornëll dhe Nju-Jork Tajms.

Enti botues u vu në dijeni të sulmit që prej ditës së premte kur disa gazeta të cilat shtypeshin përmes së njëjtës platformë po shfaqnin vonesa.

Faqet e internetit dhe aplikacionet e gazetave të prekura nuk u dëmtuan nga programi kompjuterik.

Shtëpia botuese gjithashtu garantoi se të dhënat private të klientëve të saj nuk janë komprometuar.

Në një deklaratë zyrtare, departamenti amerikan për sigurinë kombëtare informoi se po punohet me qeverinë dhe partnerët e tjerë në industrinë e teknologjisë për të kuptuar rrethanat e incidentit kibernetikë.

Sipas ekspertëve informatikë, sulmi i fundjavës me gjasë është realizuar nga agjenci të huaja me origjinë ruse, kineze, iraniane apo koreanoveriore, të cilat edhe më parë janë akuzuar nga administrata amerikane për ndërhyrje në veprimtarinë e bizneseve vendase dhe të aleatëve të tyre ndërkombëtarë.

EMISIONET