Sulm kibernetik në Bullgari, vidhen të dhënat e 5 mln qytetarëve dhe kompanive

Sulm kibernetik në Bullgari, vidhen të dhënat e 5 mln

Agjencia e taksave në Bullgari ka rënë pre e një sulmi kibernetik i cili ka vjedhur të dhënat e thuajse çdo shtetasi të rritur bullgar. Autoritetet kanë arrestuar autorin e dyshuar dhe kanë kërkuar që të mos publikohen të dhënat e vjedhura të miliona qytetarëve. Hetuesit dyshojnë se sulmi mund të ketë lidhje me vendimin e qeverisë së vendit për të blerë avionë ushtarakë nga SHBA.

Policia bullgare ka arrestuar një person të dyshuar për vjedhjen e të dhënave personale të miliona qytetarëve dhe kompanive vendëse të biznesit.

Shefi i njësisë kundër krimeve kibernetike njoftoi të mërkurën se sulmi kundër Agjencisë Kombëtare të të Ardhurave mund të jetë kryer nga një specialist bullgar, i trajnuar për të zbuluar të metat e sistemeve informatike.

Pirati 20-vjeçar i internetit mësohet se arriti të përvetësojnë emrat, të dhënat personale dhe pasqyrat financiare të rreth 5 milionë qytetarëve dhe kompanive që veprojnë brenda vendit.

Mediet lokale u informuan për sulmin përmes një emaili të dërguar të hënën nga një konto e regjistruar në Rusi.

Ministri i Brendshëm i vendit, Mladen Marinov, tha se operacioni mund të ketë prapaskenë politike për shkak të vendimit të fundit të Sofjes për të blerë avionë ushtarakë nga Shtetet e Bashkuara.

Ndërkaq organizata më e madhe e industrive në vend doli me një deklaratë ku i kujtonte qeverisë denoncimet e vitit të kaluar për standardet e ulëta të sigurisë në platformën kombëtare të bizneseve.

Autoritetet me urdhër të qeverisë kanë nisur kërkesat për ndihmë ndaj agjencive europiane që do të auditojnë sistemet zyrtare të rëndësisë së veçantë.

EMISIONET