Ditën e sotme kryeministri Edi Rama ka prezatuar portalin “u-transparenca.al” ku ka premtuar se një pjesë e mirë e studentëve që kanë rezultate të shkëlqyera do kenë mundësi të punësohen.

Ndër të tjera Rama u ka adresuar edhe kritika studentëve, të fundit këta, të cilët nëpërmjet një deklarate për mediat kanë paralajmëruar ditë të vështira për kryeministrin.

“Lëvizja për Universitetin” ka paralajmëruar rikthimin e protestave masive, pasi pretendojnë se Rama i ka gënjyer studentët.

Reagimi i plotë: 

Gjatë takimit propagandistik të radhës, kryeministri Rama u kujtoi studentëve se si qeveria nuk ka ndër mend t’u japë zgjidhje problemeve të tyre.

1. Në vend të uljes së tarifave në të gjitha nivelet, ai propozoi investime imagjinare në universitete. Pa plan, pa shifra e pa afate.

2. Në vend të demokratizimit të universiteteve duke u dhënë fuqi të barabartë studentëve dhe pedagogëve, ai ripohoi pushtetin e bordeve të kontrolluara nga qeveria.

3. Në vend të fuqizimit të studentëve në kontrollin e pedagogëve abuzues – nga mitmarrja e shitja e detyruar e librave te plagjiaturat – ai premtoi se do të fusë ruspën shtetërore në universitet. Jo për të ndryshuar situatën, por për të zëvendësuar bajraktarët që nuk kontrollon me bajraktarë të bindur.

4. Në vend të rritjes së buxhetit të shtetit për universitetet publike, ai u kërkoi këtyre të fundit të themelojnë firma tregtare për të mbuluar vështirësitë financiare.

5. Në vend të rrëzimit të ligjit klientelist të arsimit të lartë, ai la të kuptohet se pronarët e diplomoreve private do të vazhdojnë të fusin duart në buxhetin e varfër të universiteteve publike.

Në këto kushte, studentëve nuk u mbetet veçse të vazhdojnë me më shumë këmbëngulje dhe intensitet procesin e riorganizimit në bazë fakulteti për të nisur së shpejti një zinxhir protestash masive. Kjo qeveri dhe ky sistem politik marrin vesh vetëm gjuhën e fuqisë dërrmuese të shumësisë studentore dhe qytetare.

/Ora News.tv/