Studentët i rikthehen protestave, thyejnë xhamat e Ministrisë së Arsimit

Studentët i rikthehen protestave, thyejnë xhamat e Ministrisë

Sot, studentët u rikthyen në protestë ndryshe, me flakadanë, tymyese dhe gurë në drejtim të Ministrisë së Arsimit.

Arsyet që i mblodhën në protestë i lidhën me pretimet e pambajtura të qeverisë për përmirësimin e cilësisë në universitete. Kërkesat që parashtruan për zgjidhje ishin pesë.

1-Rrëzimi i ligjit të arsimit të lartë

2-Arsim cilësor për të gjithë të rinjtë duke mundësuar mbështetje financiare për të dyja ciklet e studimit

3-Rankimi i programeve sipas modeleve më të mira bashkëkohore

4-Rritja e peshës së përfaqësimit në IAL

5-Autonomi reale e IAL-ve dhe jo e diktuar nga bordet qeveritare

Ata thanë se protestat e disa muajve më parë nuk kanë ndryshuar situatën në fakultete dhe vijojnë të përballen me të njejtat probleme.

"Kjo është një protestë simbolike, por edhe një mesazh që duhet ta marrë ministria e Arsimit që të plotësojë kërkesat, sepse nesër do të jemi shumë më shumë dhe nuk mund të rrimë si në dhjetor", tha një prej studentëve.

Studentët paralajmëruan se do përshkallëzojnë qëndrimin e tyre nëse nuk do të ketë reagimin nga Ministria e Arsimit.  Ndërkohë në Korçë studentët denoncuan presionet për të mos iu bashkuar protestës në Tiranë.

Protestës Kryeministri Rama iu përgjigj me një video në rrjetet sociale për kërkesat e plotësuara në kuadër të Paktit për Universitetin. Pavarsisht protestës, e mërkura në shumë prej fakulteteve ishte një ditë e zakonshme mësimi.

 Në muajin dhjetor të vitit të kaluar studentët nisën protestat masive para Ministrisë që zgjatën deri në muajin shkurt. Ata kërkuan tarifa më të ulëta si dhe përmirësimin e kushteve në universitete.

Shikoni Fotogalerine



EMISIONET