Strasburgu dënon me 15 mijë euro Shqipërinë për keqtrajtimin e një të burgosuri të sëmurë

Strasburgu dënon me 15 mijë euro Shqipërinë për

Gjykata e Strasburgut i kërkon shtetit shqiptar që të ndërtojë një spital të përshtatshëm për persona që i është privuar liria dhe që ndjekin mjekim të detyruar.

Rekomandimi nga gjykata e Strasburgut ka ardhur pas shqyrtimit të çështjes së Arben Strazimirit, i cili u dënua për sulmin me thikë në vitin 2008 ndaj mjekut Ali Refatllarit, ish shef i kirurgjisë në QSUT.

Gjykata vlerëson se Strazimiri është mbajtur në burg ndërkohë që duhet të ishte në një institucion të posaçëm të trajtimit të problemeve psiqike.

Gjithashtu në lidhje me këtë çështje gjykata ka ndëshkuar shtetin shqiptar me një gjobë prej 15 mijë euro duke argumentuar se dëmshpërblimi duhet t'i shkojë atij për faktin se trajtimi ndaj tij ka qenë çnjerëzor në burg.

Gjykata konstatoi se legjislacioni shqiptar nuk parashikonte të drejtën e kompesimin për trajtimin e paligjshëm të individëve në situatën specifike të z. Strazimiri.

"As qeveria nuk kishte paraqitur ndonjë praktikë gjyqësore vendase për të provuar ndryshe", thuhet në vendimin e gjykatës së Strasburgut.

Strazimiri u arrestua në vitin 2008 për tentativë vrasje me paramendim por gjykata e rrethit Tiranë konstatoi se ai nuk mund të mbahej përgjegjës penalisht për veprimet e tij për shkak të problemeve mendore si dhe urdhëroi trajtim të detyrueshëm spitalor në një institucion mjekësor.

Ai u dërgua për herë të parë në burgun e Krujës në 2009 dhe më pas u transferua në spitalin e burgjeve në Tiranë në vitin 2011.

EMISIONET