Stoltenberg: Procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut, "në rrugë të duhur"

Stoltenberg: Procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë ta ketë garantuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev se procesi i anëtarësimit të këtij shteti në aleancën veri-atlantike “është në rrugën e duhur”.

Ai i ka bërë këto deklarata vetëm disa ditë pasi Bashkimi Evropian ka dështuar t’i ofrojë një datë këtij shteti për nisje të negociatave për anëtarësim.

Stoltenberg ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter se ai ka telefonuar Zaevin për “t’i garantuar përkushtimin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut”, duke shtuar se “procesi i ratifikimit është në rrugë të mbarë dhe unë mezi pres që Maqedonia e Veriut t’i bashkohet aleancës”.

Maqedonia e Veriut ka siguruar një protokoll për anëtarësim në NATO në shkurt të këtij viti, pas arritjes së marrëveshjes me Greqinë një vit më parë për ndryshim të emrit, duke i dhënë fund kontestit për këtë çështje me Athinën.

Deri më tani 24 nga 29 vendet anëtare të NATO-s, kanë ratifikuar protokollin për anëtarësim të këtij shteti.

Zaev është përballur me 18 tetor me një pengesë të madhe, pasi një grup i vendeve anëtare të BE-së, i kanë bllokuar Maqedonisë së Veriut nisjen e bisedimeve për anëtarësim ashtu sikurse Shqipërisë.

Kjo ka detyruar kryeministrin maqedonas të thërrasë zgjedhje të parakohshme, duke thënë se kërkon nga qytetarët të vendosin për rrugën që dëshirojnë të ndjekë shteti i tyre.

Vendimin e BE-së ai e ka konsideruar “gabim historik”.

Prandaj më 19 tetor, Zaev ka thënë se zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 12 prill.

Synimi kryesor i Zaevit, prej kur ka fituar pushtetin më 2017, ka qenë anëtarësimi i shtetit që udhëheq në BE dhe NATO./REL

EMISIONET