Ishte thjeshtë një test miqësor, por Gjermania dhe Argjentina dijnë si ta kthejnë në spektakël. Në "Signal Iduna Park" të Dortmund, Pancerat dhe Albicelestët dhuruan një mbrëmje magjike, ku u shënuan 4 gola, dy për secilën pjesë dhe dy për secilin krah. Gjermania dhe Argjentina barazuan 2-2, por ajo që u ngulit në mendjen e tifozëve ishte spektakli.

Vetëm 16 minuta i mjaftuan Gnabry për të dhënë shkëndijën e parë, me sulmuesin e Bayern Munich që "zbërtheu" 4 mbrojtës për të tundur rrjetën. Ky gol u duk se zgjoi Argjentinën, e cila pa Messin në fushë u duk e një tjetër dimensioni. E nga ky shpërfytyrim përfitoi sërish Gjermania, e cila shënoi me Havertz për të vulosur rezultatin e pjesës së parë në 2-0.

Në dhomat e zhveshjeve, Scaloni ndryshoi fytyrën e Argjentinës, me aktivizimin e Acuna, Ocampos dhe Alario që dhanë frytet e tyre. Ishte pikërisht ky i fundit që ngushtoi shifrat katër minuta pasi ishte në fushë, ndërsa ylli i Marseille, Ocampos i dha goditjen finale Gjermanisë dhe gjithë takimit, i cili u mbyll me shifra të barabarta, 2-2.  



/Ora News.tv/