Spanja: S’ka ngjashmëri mes Katalonjës e Kosovës

Spanja: S’ka ngjashmëri mes Katalonjës e Kosovës

Spanja i hodhi poshtë pretendimet për ngjashmërinë e çështjes së Katalonjës me Kosovën. Ndërkohë nga Beogradi, Ministri i Jashtëm Joseph Borell, bëri thirrje për një zgjidhje kompromisi përmes dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës.

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Joseph Borell, deklaroi në Beograd se rasti i Kosovës dhe ai i Katalonjës nuk janë të njëjtë, derisa bëri thirrje për një zgjidhje kompromisi përmes dialogut Beograd-Prishtinë.

Pas bisedimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiç, shefi i diplomacisë spanjolle ripërsëriti se Madridi e kundërshton pavarësinë e Kosovës.

"Këto dy situata nuk kanë të bëjnë fare me njëra-tjetrën. Ajo që ndodhi në Kosovë nuk lidhet gjendjen e Katalonjës. I përsërita presidentit dhe Ministrit të Jashtëm qëndrimin e Spanjës për mospranimin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës,” tha Borell në konferencën për mediat.

Sipas një njoftimi të kabinetit të presidentit Vuçiç, ministri Borell, i cili po qëndron për vizitë në Serbi, tha se njohja e Kosovës është e papranueshme pasi “bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare”.

Para deklaratave të kryediplomatit spanjoll, shefja e Politikës së Jashtme e BE-s, Federica Mogherini, përsëriti thirrjet për rifillimin e dialogut dhe për këtë kërkoi shfuqizimin e tarifës për mallrat serbe nga ana e Kosovës.

"Bisedimet do të rinisin plotësisht vetëm pas revokimit të tarifave doganore që po zbatohen nga qeveria e Kosovës. Ditën që ato tarifa do të hiqen, unë menjëherë do të thërras raundin e ri të takimeve, me synim arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme, që do të adresojë të gjitha çështjet kyç dhe do të garantojë normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit."

Mogherini foli në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku kërkoi një rol më aktiv të organizatës për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

EMISIONET