Spanja shtyn gjendjen e emergjencës, mbi 1,700 viktima nga COVID 19

Spanja shtyn gjendjen e emergjencës, mbi 1,700 viktima nga COVID 19

Spanja është shteti i dytë më i prekur në Europë, pas Italisë, për nga numri i rasteve dhe i viktimave të infektuara me koronavirus. Gjendja e jashtëzakonshme në vend pritet të shtyhet me 15 ditë të tjera.

Spanja planifikon shtyrjen me dy javë të tjera të gjendjes së jashtëzakonshme në vend, pasi numri i viktimave nga Covid-19 vazhdon të rritet.

Që prej rastit të parë më 31 janar, bilanci i të infektuarve në rang vendi tashmë ka shkuar në afro 30 mijë ndërsa gati 2 mijë veta kanë humbur jetën.

Autoritetet shpresojnë se po i afrohen fazës kur kurba tragjike do të fillojë të bjerë.

"Të martën kabineti do miratojnë zgjatjen e gjendjes së emergjencës deri më 11 prill. Na duhet të ideojmë një Plan të ri Marshall, një program madhor investimesh publike brenda Bashkimit Europian, dhe të fillojnë procesin e rindërtimit social dhe ekonomik kur e gjitha kjo të ketë mbaruar," deklaroi të dielën kryeministri spanjoll Pedro Sançez.

Pas Italisë, Spanja është vendi i dytë europian më i prekur nga pandemia e koronavirusit.

Qeveria ka vendosur masa të rrepta ndalimqarkullimi të mjeteve dhe këmbësorëve por edhe ka porositur milionë maska, tamponë dhe pajisje respiratore teksa spitalet shtetërore kanë tejkaluar kapacitetet me rastet e infeksionit.

"Dua t'u dërgoj një mesazh falënderimi gjithë doktorëve dhe infermierëve dhe të tjerë punonjës të përkujdesjes mjekeësore që po na mbrojnë, policisë dhe ushtrisë dhe të gjithë atyre që janë në vijën e parë të zjarrit dhe janë heronjtë tanë," u shpreh të dielën me një videomesazh solidariteti ylli i tenisit, Rafael Nadal.

Mësohet se mes mijëra pacientë të diagnostikuar me Covid-19 janë edhe personalitete të shtetit si gruaja e kryeministrit Sançez por edhe tenori i njohur spanjoll, Plaçido Domingo, në moshën 79-vjeçare.



EMISIONET