Tiranë – Sa rrezikohet sistemi bankar në Shqipëri pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve nga Thesari i shtetit? Eksperti i ekonomisë, Mateo Spaho, i ftuar në studion “Ora News” ka deklaruar se “shqiptarët duhet të rrinë të qetë, paratë e tyre janë relativisht të sigurta. Depozitat e shqiptarëve janë në arkat e bankave të nivelit të dytë dhe jo në arkat e bankës qendrore.” Gjatë një interviste me gazetaren Denisa Pasholli lidhur me efektet në ekonomi të grabitjes së parave nga Banka e Shqipërisë si dhe të marrëveshjes së shumëdiskutuar të Qeverisë shqiptare me CEZ-in, Spaho shpjegoi edhe se është paska i dyshimtë akordi i lidhur ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe CEZ-in pikërisht një ditë para marrjes së statusit. Borxhet e shumta të kësaj kompanie do të rëndojnë mbi shqiptarët, ç'ka nënkupton se statusi kandidat i ka kushtuar shumë shtrenjtë, vendit. “Banka e Shtetit është nja nga institucionet më të besueshme në Shqipëri dhe për realitetin shqiptar, - tha Spaho në përgjigjet e pyetjeve. - Nëse njerëzit do të kishin frikë nga depozitat apo nga siguria e parave të tyre në banka, në masë do të shkonin t’i tërhiqnin ato. Ky është hapi i parë që çon në falimentimin e sistemit financiar në çdo vend. Deri tani nuk ka ndodhur dhe nuk është mirë të ndodhë, absolutisht dhe ne duhet të bëjmë çmos të mos ndodhë edhe sepse nuk ka arsye konkrete. Është indinjues fakti i vjedhjes brenda Bankës së Shtetit, kjo gjë nënkupton se duhen krijuar metoda të reja dhe duhen zbatuar metoda të kontrolli, gjëja që është më e rëndësishme, por përtej këtij fakti ka pak për të bërë; shqiptarët duhet të rrinë të qetë, paratë e tyre janë relativisht të sigurta. Depozitat e shqiptarëve janë në arkat e bankës së nivelit të dytë, jo në arkat e bankës qendrore. Vetëm paratë e shtetit shqiptar, buxheti i qeverisë, rezervat e shtetit ndodhen në bankën qendrore; gjithashtu, edhe një pjesë e parave të bankave të nivelit të dytë, por që shërbejnë vetëm si garanci për mbijetesën e bankave në rast krize. Ne nuk jemi në një rast krize, bankat kanë likuiditet dhe shqiptarët mund t’i tërheqin paratë pa asnjë lloj problemi. Ajo çfarë mbetet nga kjo histori është vetëm një vjedhje spektakolare, e gjatë në kohë, që mund të bëhet një film,”- nënvizoi Spaho. I pyetur edhe për marrëveshjen e kritikuar ashpër nga opozita, të Qeverisë shqiptare me CEZ-in, eksperti i ekonomisë gjykoi: “Pa dashur t’i futem politike, akordi ndërmjet Qeverisë shqiptare dhe CEZ-it është kryer një ditë përpara se Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat dhe Ok-in nga Republika Çeke. Është pak si e dyshimtë. Mendoj se ky akord mund të vinte 5 ditë më vonë, dy javë më parë, pse jo të mos ishte arritur ende, se CEZ-i nuk ka ndonjë ndryshim në menaxhimin e vet. Sigurisht, pala shqiptare kishte krijuar me studion e avokatisë një dosje mjaft të rëndësishme dhe solide. Nga krahu tjetër, Qeveria ka shprehur se do të ketë zero probleme me fqinjët apo partnerët e jashtëm. Shpresoj që kjo të mos thotë bëjmë çfarëdolloj gjëje që doni ju sepse ky mund të ishte rreziku. CEZ-i ka krijuar një varg borxhesh me kompanitë e tjera si KESH-i, OSSH-ja e kështu me radhë. Ato borxhe duhet t’i paguajë dikush dhe tani shteti shqiptar e ka sërish në dorë, CEZ-in. Kush do t’i paguajë ato borxhe? Pyetja! - Taksapaguesit shqiptarë, përgjigja! E nuk ka sesi të jetë ndryshe, sepse edhe sikur qeveria të merrte borxh për të paguar borxh, edhe borxhi i dytë duhet paguar sërish nga taksapaguesit shqiptarë. Mos të harrojmë se Qeveria ka paguar rreth 100 milionë USD për të mbyllur çështjen, një tjetër borxh, një tjetër pagese. Na ka kushtuar shtrenjtë, statusi i vendit kandidat, do të thosha,” përfundoi Spaho. ar.sh/Oranews.tv

/Ora News.tv/