Eksperti i Ekonomisë, Pano Soko mbrëmjen e djeshme në emisionin “Tempora” në RTV Ora deklaroi se Shqipëria ka shpenzuar aq miliarda dollarë, sa me to mund të kishte ndërtuar autostrada me 4 korsi nga poli i veriut ne jug.

Soko theksoi se kaq para mund të ishin bërë edhe shërbime të tjera duke marrë si shembull sistemin e shëndetësisë.

Pjesë nga biseda në studio: 

Pano Soko: Gjatë kësaj kohe ne kemi shpenzuar 22 miliardë dollarë. Nëse do ishim nisur në 1990 nga poli i veriut do kishim ndërtuar një autostradë me këto lekë që kemi paguar ne. Pra vetëm me lekët e borxhit që kemi marrë dhe me lekët e investimeve që kemi paguar ne me taksat tona. Me 4 korsi dhe do kishim arritur tani në polin e jugut. 

E kuptoni se çfarë na ka bërë ky system ne?  

Sonila Meço: Dhe një spital nuk e kemi bërë dot. 

Pano Soko: Dhe nuk kemi ndërtuar asnjë spital. Asnjë spital të ri nuk e kemi ndërtuar. 

Lidhur me këtë deklaratë të Sokos, moderatorja e Sonila Meço pyeti publikun në studio se cili ishte problem i tyre më i madh.

Një zonjë u shpreh se shqetësimi i saj është sistemi shëndetësor, ndërs tregoi edhe rastin kur vëllai i saj humbi jetën, pas një aksidenti si pasojë e neglizhencës së stafit mjekësor.

Pjesë nga biseda në studio: 

Sonila Meço: Cili është problemi yt më i madh?

Qytetarja: Unë kam një problem për shëndetësinë. Kam humbur vëllanë e vetëm. Është në Vlorë. U aksidentua dhe u godit në kokë. Vajti në spital dhe nuk i bënë as ezhe, as eko dhe çfarë bëhet në këto raste. I thanë nuk ka gjë, i bënë nja dy qetësuese dhe e çuan në shtëpi. Për 3-4 orë ai u bë shumë keq. Erdhi urgjenca në shtëpi prap. Jo e kanë efektin e ilaçeve dhe të qetësuesve. Më mbrapa u bë më keq akoma dhe në orën 11:30 të natën e çuan gjysme të vdekur. Them që duhet të ndryshojë mjekësia. 

Pano Soko: Mjekësia jonë është këtu ku është sot, për hir të një marifeti elektoral, zoti i mjekësisë sot është një person që ka një efekt elektoral për shkak të këtij sistemi në një zonë të caktuar. Është një person që qarkullon, që përflitet. Është ky person  zot i shëndetësisë sot, sepse sistemi, kryetari i partisë është i detyruar t'i lutet duke i dhënë tenderat e shëndetësisë, duke i dhënë lekët që duhet të shkonin për spitalet, duke i dhënë lekët që duhet të shkonin për të gjitha pajisjet dhe aparaturat. Nuk i marrin spitalet, por shkojnë për tenderat që vlerën vërtet e kanë 5 lek dhe dhe blehen me 500 lek, apo me 5 mijë lek. Kjo është ajo pse nuk kemi ne sot shëndetësi.


/Ora News.tv/