Sigurimet rrezik për buxhetin, Malaj sugjeron shkurtimin e shpenzimeve të zyrtarëve

Sigurimet rrezik për buxhetin, Malaj sugjeron shkurtimin e shpenzimeve

Borxhet e papaguara për sigurimet shoqërore, të cilat vlerësohen në 110 milion euro, janë kthyer në një rrezik serioz për buxhetin e shtetit.

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, apelon që të merren masa të menjëhershme për të shlyer këto detyrime.

Eksperti i njohur i ekonomisë sugjeron si zgjidhje shkurtimin e shpenzimeve të zyrtarëve, deri në eleminimin e borxheve.

Arben Malaj: Sa më parë dhe detyra e parë është e opozitës brenda dhe jashtë parlamentit të nxisë një interpelancë me kryeministrin, të saktësohen shifrat, të saktësohen përgjegjësitë dhe të urdhërohet menjëherë bërja e një plani konkret si do të shlyhen këto detyrime të  prapambetura. Hapi i parë duhet të jetë shkurtimi i shpenzimeve operative të të gjithë institucioneve. Mendimi im është deri në mos pjesëmarrjen e ministrave të qeverisë shqiptare në çdo aktivitet që bëhet jashtë vendit, qoftë edhe të deputetëve, kryetarëve të bashkive, qoftë edhe të punonjësve të administratës publike.

Në lidhje me vendimin e marrë nga Ministria e Financave që asnjë pagë nuk do të kalojë pa u paguar sigurimet shoqërore, Malaj thekson se një rregull i tillë ka ekzistuar edhe më parë.

Arben Malaj: Trajtimi i problemit sikur u zgjuam sot për ti dhënë një zgjidhje është fshehje reale e këtij problemi. Si ka mundësi që për kaq kohë dhe situata ka ardhur në përkeqësim janë lejuar të marrin punonjësit e institucioneve buxhetore të marrin pagën dhe institucionet buxhetore mos paguajnë sigurimet shoqërore. Ministrja e Financave është mirë që në auditin e brendshëm të gjejë kush janë shkelësit e ligjit numër 1 të thesarit që ka paguar pagat pa kërkuar që institucionet të paguajnë në të njëjtën ditë dhe sigurimet shoqërore.

Rritja e detyrimeve të institucioneve shtetërore shihet si një problem serioz pasi ndikon direkt edhe në nivelin e borxhit publik, por vë në rrezik edhe pensionet për të ardhmen.

EMISIONET