Policia kufitare në Bari ka arrestuar një 43 vjeçar shqiptar me iniciale K.M, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër arresti më 14 gusht të vitit të shkuar për abuzim në familje, lëndime personale dhe dhunë seksuale.

Mediat italiane shkruajnë se shqiptari kishte mbërritur dje në portin e Bari nga Durrësi, së bashku me nënën e tij.

Përveç pasaportës shqiptare, ai kishte një dokument afatgjatë udhëtimi evropian të lëshuar për shkak të lidhjes së tij me një grua italiane.

Atë e kishte denoncuar bashkëshortja e tij për dhunë në familje dhe për rrahje të saj përpara syve të vajzës 9 vjeçare duke i shkaktuar dëmtime.

Gjithashtu, mediat italiane shkruajnë se shqiptari akuzohet edhe për "sulm seksual në tentativë në rrugë e kryer së bashku me dy shqiptarë të tjerë".

Gruaja u tha hetuesve se që në muajt e parë të martesës kishte përjetuar sjellje të dhunshme dhe agresion nga bashkëshorti dhe madje edhe në prani të miqve dhe në shumë raste edhe në prani të fëmijës.

/S.Ll/



/Ora News.tv/