Një shqiptar 34-vjeçar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur nga autoritetet italiane, është shpallur në kërkim pas një operacioni policor në parkun natyror Stupinigi në provincën e Torinos.

Gjatë një kontrolli territori për garantimin e sigurisë publike në këtë park që në fundjavë mirëpriti një event kulturor, forcat italiane të rendit zbuluan një plantacion marijuane me një sipërfaqe rreth 2700 metra katrorë.

Në këtë plantacion u gjetën 256 vazo me fidanë kanabisi, 60 vazo me bimë kanabis në rritje e gati për t'u mbjellë në tokë si dhe 600 rrënjë kanabis të lulëzuar e gati për t'u mbledhur.

Gjatë operacionit policor, dy persona të pranishëm në plantacion janë larguar drejt zonës pyjore duke humbur gjurmët. Gjatë largimit njëri prej tyre ka humbur dokumentat , karta e identitetit të të cilit zbardhi se ishte një shqiptar 34 vjeçar.

Autoritetet italiane e kanë shpallur person në kërkim, ndërkohë patrulla policore vazhdojnë "krehjen" e territorit për kapjen e tij.

Ndërkohë 3 italianë të moshës nga 20 deri në 33 vjeç janë vënë në pranga nga policia e Rivolit pasi në banesën e tyre është gjetur një serë bimësh kanabis si dhe instrumente për përgatitjen e dozave të drogës.



/Ora News.tv/