Shqipëria refuzohet nga emigrantët

Shqipëria refuzohet nga emigrantët

Autoritetet shqiptare duhet të sigurojnë kushte më të mira për refugjatët që janë strehuar në vend për t'i shpëtuar luftës dhe përndjekjes politike në shtetet e tyre të origjinës.

Një komision i posaçëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara theksoi të mërkurën se vendi i vogël ballkanik mbetet një destinacion i padëshiruar për shumicën e të ardhurve nga vendet në konflikt.

Shkak për këtë raportohet të jetë mungesa serioze e qendrave të dedikuara për mikpritjen e personave me nevoja të veçanta dhe për fëmijët emigrantë të pashoqëruar, të cilët vijnë kryesisht nga vendet si Siria, Pakistani, Algjeria dhe Maroku.

Sipas Agjencisë për Refugjatët në OKB, nga 4 mijë persona që aplikuan për azil në vitin 2018, vetëm 1 për qind e tyre e përfunduan procedurën zyrtare, ndërsa pjesa tjetër shprehën dëshirën për të vijuar rrugën drejt vendeve të Europës perëndimore.

Vitin e kaluar, në Shqipëri u vërejtën gjithashtu raste të kthimit pas apo arrestimit të emigrantëve në kufirin me vendet fqinje, veprime të cilat konsiderohen të kundërligjshme sipas legjislacionit të OKB-së.

Ndërkohë, megjithëse numri i refugjatëve që i drejtohen kontinetin europian sa vjen e ulet, lundrimi përmes detit mbetet një iniciativë fatale për shumë prej tyre.

Në vitin 2018 mendohet se drejt Europës u drejtuan mbi 139 mijë refugjatë dhe emigrantë, ndërsa çdo ditë gjashtë prej tyre humbën jetën gjatë tentativës për të kaluar Detin Mesdhe.

Ballkani sërish mbetet një zonë kryesore tranziti për shumicën e emigrantët, të cilët pasi zbarkojnë në Greqi, ngjiten drejt veriut në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinë për të mbërritur përfundimisht në Francë apo Gjermani.



EMISIONET