Shqipëria siguron edhe 30 respiratorë të rinj për përballimin e COVID-19

Shqipëria siguron edhe 30 respiratorë të rinj për

Ministria e Shëndetësisë ka firmosur sot marrëveshjen për blerjen e 30 respiratorëve të rinj. Lajmin e bëri me dije Manastirliu në facebook.

Marrëveshja e përbashkët e partneritetit u nënshkrua sot virtualisht midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ambasadës së Zvicrës, Ambasadës Mbretërore të Norvegjisë për Shqipërinë, dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri (UNDP).

Bëhet fjalë për një kontribut prej 700,000 USD nga Zvicra, Norvegjia dhe UNDP që i shtohet 54 respiratorëve të siguruar tashmë nga MSHMS.

Manastirliu: Vetëm përmes frymës solidare, duke bashkuar forcat, mund t’i bëjmë ballë një armiku të padukshëm si COVID19. Shumë e kënaqur që firmosëm sot marrëveshjen për blerjen e 30 respiratorëve të rinj, me partnerët tanë që na janë gjendur pranë në ditë të vështira, Ambasadorin e Zvicrës Adrian Maître, Ambasadorin e Norvegjisë për Shqipërinë Jens Erik Grondahl dhe Përfaqësuesen e Përhershme në Shqipëri të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Limya Eltayeb.

Ky kontribut plotëson angazhimin e qeverisë shqiptare për rritjen e kapaciteteve dhe sigurimin e një numri të mjaftueshëm të makinerive jetë-shpëtuese për trajtimin e pacientëve të COVID-19 në terapi intensive.

Qeveria zvicerane po dhuron 330,000 USD, qeveria norvegjeze 3,000,000 Krona Norvegjeze dhe UNDP 100,000 USD. Të 30 respiratorët pritet të arrijnë në Shqipëri brenda muajit dhe do t’i dorëzohen Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.



EMISIONET