Pas tetë vitesh debatesh, qeveria miratoi mbrëmjen e kaluar një marrëveshje me Komisionin Ndërkombëtar për Njerëzit e Humbur për të filluar kërkimin dhe identifikimin e disa prej mijëra viktimave të regjimit komunist.

Marrëveshja, e miratuar nga qeveria të mërkurën, do të angazhojë Komisionin Ndërkombëtar për Njerëzit e Humbur (ICMP) për të hetuar, kërkuar dhe identifikuar një pjesë të gati 6 mijë shqiptarëve që u vranë apo u zhdukën gjatë sundimit 45 vjeçar komunist në vend, një proces që po nis gati tri dekada pas rënies së regjimit, mes skepticizmit se procesi ka nisur tepër vonë dhe aktualisht ka fonde të pakëta.

ICMP ka marrë një grant nga Bashkimi Europian prej rreth 450 mijë eurosh për fillimin e punës, të cilat do të mbulojnë kërkimin në dy vendbarrime të njohura, Kazermat 313 pranë Tiranës dhe varret pranë ish kampit të punës së detyruar në Ballsh, nga disa dhjetëra vende të dyshuara.

Komisioni Ndërkombëtar për Njerëzit e Humbur është krijuar më 1996 dhe është angazhuar që nga ajo kohë në shumë vende që kanë kaluar luftëra të përgjakshme apo kanë përjetuar diktatura të ashpra, të tilla si Bosnja, Kosova, Iraku e Libia, për të kërkuar njerëzit e humbur në konfikte, diktatura apo katastrofa natyrore.

ICMP ofroi ndihmë për Shqipërinë fillimisht në vitin 2010 pasi një investigim i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative zbuloi se si familjet e viktimave përpiqeshin të zbulonin fatin e njerëzve të tyre ndërkohë që autoritetet ishin të shurdhëta ndaj kërkesave të tyre për informacion apo ndihmë. Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave, marrëveshja do të duhet të kalojë në procedura parlamentare para se të hyjë në fuqi.

Kërkimi do të fillojë me varrezën famëkeqe të njohur si “Kazermat 313” në periferi të Tiranës poshtë malit të Dajtit, ku një numër i konsiderueshëm njerëzish janë varrosur në fshehtësi pasi u ekzekutuan gjatë viteve ’70 dhe ’80. Sipas investigimit të BIRN, Jovan Plaku, i biri i inxhinierit të naftës Koço Plaku, i ekzekutuar në vitin 1976, po kërkonte eshtrat e të atit kur zbuloi dymbëdhjetë të varrosur atje. Tetë vjet më vonë, asnjë nga të gjeturit nuk është identifikuar ende.

ICMP do të fillojë të mbledhë kampionë ADN-je nga familjarët e të zhdukurve me qëllim që t’i përputhë ato me ADN-të e të zhdukurve të zbuluar. Një vend tjetër kërkimi do të jetë varreza pranë ish-kampit të punës së detyruar në Ballsh, në jug të Shqipërisë. Kjo varrezë besohet se mbart mbetjet e atyre që vdiqën në kampin e punës të ndërtuar për llogari të rafinerisë. Shqipëria komuniste përdorte të burgosurit si krahë të lirë pune në miniera, bujqësi dhe ndërtim.

Që kur mori pushtetin më 1945, qeveria komuniste refuzoi t’i jepte familjeve trupat e të ekzekutuarve me synimin për t’i mohuar mbajtjen e një funerali. Ata që vdiqën nëpër burgje u varrosën shpesh në zonën përreth burgjeve në varre të pashënjuara.

/Birn/


/Ora News.tv/