Rikthimi i Armir Grimës në pankinën e kombëtares së femrave nuk i ka mjaftuar Shqipërisë për të marrë pikë në kualifikueset e Europianit 2021.

Kuqezinjtë regjistruan humbjen e katërt në grup, teksa u mposhtën me rezultatin e thellë, 5-0 nga Skocia. Vajzat e drejtuara nga Grima ishin të pafuqishme përballë mikeshave nga Skocia.

Takimi i zhvilluar në "Elbasan Arena" pa një Skoci të uritur për të fituar, me Emslie dhe Ross që shënuan golat e pjesës së parë, ndërsa Cuthbert, Godfrey dhe Murray kompletuan spektaklin.  

Kjo humbje zhyt në krizë vajzat kuqezi, që mbeten në vendin e fundit me 0 pikë. Ndërkohë, kjo ishte fitorja e dytë e Skocisë në dy ndeshjet e para në grupin E, ku numëron 6 pikë në vendin e dytë.

Sfida e radhës për Shqipërinë është ajo e marsit ndaj Qipros në transfertë.

/Ora News.tv/