Albin Kurti zgjodhi Shqipërinë për të zhvilluar vizitën e parë jashtë Kosovës si kryeministër, por edhe si drejtues i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është kundër kufirit që ndan Kosovën me Shqipërinë dhe e ka aspiratë bashkimin kombëtar.

Popujt e Kosovës dhe të Shqipërisë prej dy dekadash janë më afër se kurrë më parë në 100 vitet e fundit, duke nxituar të fitojnë kohën e humbur të ndarjes tragjike. Shqiptarët e të dy vendeve e kanë injoruar kufirin dhe përpiqen të shkëmbejnë sa më shumë ekonomi, kulturë, dije, art, gjithçka, duke e bërë njësh tërësinë territoriale nga Saranda në Merdare.

Por qeveritë kanë punuar kundër dëshirës dhe vullnetit të popujve. Albin Kurti është në Tiranë, ku pritet me ceremoni shtetërore, por niveli i shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve, është shumë i ulët për mundësitë që kanë, për t’u shndërruar në një treg të përbashkët me rreth 5 milionë konsumatorë në 39 mijë kilometra katrorë.

Qeveria shqiptare nuk ka punuar asnjë ditë për ‘Makroshengenin shqiptar’, siç e quajti sot Albini, por për ‘Minishengenin me sllavët’, duke izoluar Kosovën dhe vrarë interesat shqiptare në rajon.

Partia ‘Zgjidhja’ e mbështet mbledhjen e përbashkët të qeverive të Shqipërisë e Kosovës në mars dhe kërkon që të kihet parasysh se, prej janarit 2014 kur u mbajt mbledhja e parë e përbashkët e qeverive, janë nënshkruar mbi 50 marrëveshje, shumica të mbetura në letër dhe për pasojë, shkëmbimet mes dy shteteve dhe ekonomive tona janë shumë të ulëta.

Shqipëria vetëm ka ngritur trarë dhe barriera, për shkak të koncesioneve që na bënë peshqesh Berisha dhe Rama si tarifat në Rrugën e Kombit apo ajo e skanimit të kamionëve, ndërsa shqiptarët duan një model të BE-së për doganat, duke thjeshtuar procedurat dhe kostot.  

Një nga shtyllat e programit të partisë ‘Zgjidhja’ është bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, një ëndërr legjitime që do të bëhet realitet kur Ballkani Perëndimor të anëtarësohet në BE.

Për këtë duhet të punojmë çdo ditë dhe të mos e bjerrim kohën si deri më sot. Të dy vendet duhet të rrëzojnë barrierat që i ndajnë, të bëjnë reforma dhe ligje që i afrojnë më shumë dhe që i zhdukin dallimet e ndarjet. Politikanët autokratë dhe të korruptuar në Prishtinë dhe në Tiranë nuk e kanë bërë këtë dhe dy vendet kanë popullsitë më emigruese në botë, veçanërisht nga të rinjtë.

‘Zgjidhja’ uron që politikat e qeverisë së Albin Kurtit të përmirësojnë klimën dhe ta bëjnë Kosovën një vend ku jetohet dhe punohet me dinjitet dhe ku sundon ligji. Por Shqipëria duhet çliruar, duhet bërë demokratike që të jetë e zonja e vetes dhe të mbrojë kauzën e drejtë të Kosovës si një shtet i pavarur, me kufij të paprekshëm, e respektuar dhe e pranishme në çdo tavolinë bisedimesh të diplomacisë ndërkombëtare e rajonale. Të dy shtetet shqiptare duhet të sillen në çdo rast e në çdo moment si dy shtete që ndajnë një komb, një interes, një politikë dhe një treg.

/Ora News.tv/