Tragjedi në Bulqizë: Gazi i merr jetën nënës me dy fëmijë, një tjetër lufton me vdekjen
Gazi shkaktoi tragjedinë e radhës në Ostren të Bulqizës. Nëna dhe dy fëmijë humbën jetën të helmuar, ndërsa një tjetër fëmijë i familjes lufton për jetën në Spital. Ngjarja e rëndë ndodhi në familjen e Ylber Tolës në zonën e thellë në kufi me Maqedoninë.
Një tragjedi u shënua në këtë shtëpi në Ostren të madh të Bulqizës.
Nëna 40 vjeçare bashkë me një djalë e një vajzë ndërruan jetë.
Ndërsa vajza tjetër e familjes fatmirësisht arriti të mbijetojë.
Katër anëtarët e familjes dyshohet se u helmuan.
Paraprakisht dyshohet se shkak u bë rrjedhja e gazit brenda banesës ku janë hapur dyert e mortit.
Por do të jetë ekspertiza që do të zbulojë shkakun e tragjedisë në familjen e Ylber Tolës, i cili prej pak muajsh është nisur për të punuar emigrant në Greqi.
Viktima mbetën Nëna 40 vjecare, Rajmonda, bashkë me dy fëmijët Rudinën dhe Fajtonin.
Ndërsa Merita, rreth 16 vjeçe u gjet në gjendje kritike. Ajo mori ndihmën e parë në Spitalin e Peshkopisë dhe në mbrëmje u soll në Tiranë.
Mjekët e traumës thanë se ajo është jashtë rrezikut për jetën por ende po mbahet nën vëzhgim.
Në spitalin e Traumës ka qenë edhe Presidenti, Ilir Meta, i cili e ka vizituar vajzën.
Dyshimet janë se nëna dhe fëmijët janë helmuar gjatë natës, por tragjedia është zbuluar vetëm mëngjesin e kësaj të premteje nga një familjare, pasi nuk kishte parë asnjë jashtë shtëpisë.
Një grup i posaçëm hetimor po punon për zbardhjen e tragjedisë, edhe pse nga të dhënat e para dyshohet për helmim nga gazi.
Pranë familjes mësohet se kanë shkuar edhe zyrtarë të lartë të bashkisë Bulqizë, ndërkohë që për tragjedinë reaguan presidenti Ilir Meta edhe kryetari i partisë Demokratike Lulzim Basha.
