Shpërblimet për medaljet, Calja zbulon dokumentin dhe i përgjigjet Ramës: Ju kanë keqinformuar

Letra e hapur drejtuar kryeministrit, Edi Rama nga peshëngritësi, Briken Calja nuk ka rënë në vesh të shurdhët.
 
Është vetë numri 1 i Qeverisë që i ka premtuar Caljas, si dhe atletit, Izmir Smajlaj që në dy javët e ardhshme do të nisin punë në Ministrinë e Mbrojtjes, me procedurat që kanë nisur tashmë.

Ndërkaq, Rama shtoi se shpërblimi jepet vetëm për medaljen e artë, domethënë pas dygarëshit. Por, kjo ka marrë edhe reagimin e Caljas, i cili pak minuta më parë ka konfirmuar se kjo vlen vetëm për medaljet e fituara në Olimpiadë dhe jo në Europian e Botëror, duke kërkuar edhe njëherë zbatimin e VKM-së.

Reagimi i Calja:

PËRGJIGJE DHE SHPJEGIM NDAJ FJALËS SË KRYEMINISTRIT Z.RAMA DJE

Z.Kryeministër, së pari ju falenderoj për përgjigjen ndaj problemit që unë po has në lidhje me shpërblimin e medaljeve si shkak i meseleve të një keqinterpretimi me ose pa dashje.

Së dyti, e ndoqa me vëmendje fjalën tuaj mbrëmë dhe po ju them që më është shtuar besimi që ju do i jepni një zgjidhje situatës.

Por nga ana tjetër, doja t'ju shprehja drejtpërdrejt faktin që zyrtarët e Ministrisë ju kanë keqinformuar dhe kanë përcjell tek ju një informacion që nuk ka asnjë bazë dokumentare.

Ekziston një dispozitë e qartë ligjore, jam shumë darkord me ju, dhe kjo dispozitë ligjore mbështetet në rregullat ndërkombëtare të Federatës Botërore, por doja t'ju vija në dijeni që rregullat ndërkombëtare nuk lexohen mbrapsht ashtu si i lexojnë qoftë nga paaftësia, qoftë nga padija specialistët e Ministrisë të cilët kanë bërë gjithë këtë mesele keqinformimi, duke ngritur një situatë aspak normale e të favorshme që unë të garoj e të jap më të mirën për ekipin kombëtar. Po ju vë në dispozicion letrën që Federata Botërore i ka dërguar Ministrisë së Arsimit dhe sporteve si kthim përgjigje me kërkesë të kësaj të fundit lidhur me informimin mbi numrin e medaljeve dhe përcaktimin e shpërblimeve.

Siç shikohet qartë nga kthim-përgjigjja, rregullat ndërkombëtare që ju përmendni thonë qartë që në Kampionate Evropiane dhe Botërore sportisti mund të fitojë deri në tri medalje (shtytje, shkëputje, dygarësh) dhe shpërblimi bëhet në bazë të këtyre mendaljeve siç edhe ju e thatë. Vetëm në rastin e lojrave Olimpike sportisti mund të fitoj vetëm një medalje (dygarësh). 

Për shpjegim dhe saktësim doja t'ju thoja që nuk po diskutojmë mbi VKM-në përkatëse por thjesht zbatimin e saj. Ligji i sportit është më i miri i viteve të fundit por zbatimi i tij mbetet sfidë e madhe. Dua t'ju marr disa minuta nga koha juaj e t'ju ftoj që ti hidhni një sy VKM-së, letrës kthim-përgjigjeje dhe rregullave ndërkombëtare për shpërblimet. 

Jam i gatshëm të bashkëpunoj në çfarëdo forme që ti japim drejtimin e duhur kësaj rrëmuje artificiale të ngritur pa shkak. Jam i gatshëm dhe sfidoj këdo që lexon mbrapsht një fjali të shkruar drejt dhe shqip.

Në pritje të zgjidhjes,

Brikeni"- shkruan 29 vjeçari.


EMISIONET