Policia ka arrestuar tre banorët e Unazës së Re, pas ndryshimeve të Kodit Penal pasi bllokuan rrugën në protestën e organizuar pasditen e djeshme, e cila vijon prej një viti. Familjarët e tyre u ngritën në protestë, ndërsa nuk munguan incidentet para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. 

Ndryshimet e reja në kodin penal, ku për bllokim të akseve rrugore dënohesh deri në 3 vite burg, duket se do të nisin të implementohen mbi banorët e Unazës së Re.

Ilir Katiraj, Gramoz Shehu dhe Skënder Doda, si çdo pasdite në 12 muajt e fundit dolën në protestë duke bllokuar qarkullimin për 60 minuta, por sot në mëngjes ata u përballen me prangat e policisë, ndërsa do të jetë gjykata që do të vlerësoi masën për ta.

Avokati: Kanë kryer arrestim në flagrancë në mënyrë të paligjshme. Vazhdojnë të njëjtat akuza.

Ky moment ka sjellë tensionimin e banorëve të Unazës së Re, të cilët protestuan para Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Tiranës, ku nuk kanë munguar dhe konfrontimet.

Në mbështetje të banorëve kishte edhe ish-deputetë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Balliu: Unë nuk di të them se çfarë do të ndodhë, por di të them që gjithçka ndodh. Është faji i tij se erdhi ai ti provokojë. Kanë 12 muaj banorët e  Unazës së Re që kërkojnë dialog me qeverinë. Të ulen, ta zgjidhin këtë problem, të flasin dhe vazhdojnë punën.

Braimllari: Edi Rama dhe Damian Gjiknuri sot duhet të ishin para drejtësisë sepse janë ata që kanë zhvilluar aferën më të madhe korruptive te Unaza e  Re.

Pas rreth dy orësh protestë, banorët e Unazës së Re u larguan, duke theksuar se pasdite ata do të ngrihen sërish në protestë duke bllokuar rrugën.

Kush u arrestua? 

Uniformat blu shoqëruan në polici mëngjesin e sotëm tre banorët Ilir Katirajn, 51 vjeç, Gramoz Shehun, 54 vjeç dhe Skender Dodën, 56 vjeç. 

"Tre banorët, së bashku me disa persona të tjerë janë grumbulluar mbrëmjen e së mërkurës (9 shtator) në vende të kalimit publik në rrugën “Teodor Keko” në Zonën e Unazës së Re duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit rrugor,"-raporton policia.

Ata u arrestuan për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike” dhe Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Shoqërimi i banorëve të Unazës së Re vjen pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të Kodit Penal për bllokimin e rrugëve.

"Me ndryshimet e reja në Kodin Penal, bllokimi i qarkullimir rrugor duke cënuar të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve dhe të mjeteve të transportit, do të përballet me pasojat e shkeljes së ligjit,"-njofton policia.

Ndërkohë Partia Demokratike ka publikuar një video që tregon momentin e arrestimit të Skënder Dodës në lokal.

/Ora News.tv/