Janë thuajse të gjithë në agjërim, por përgatitjet për ndërtimin e një guroreje i nxorri në protestë banorët e fshatit Milan në njësinë Administrative Postribë të Shkodrës.

Burra e gra, nuk lejuan fadromat që të nisin punën pasi thonë se ky investim rrezikon tu shkatërrojë shtëpitë, rrugën dhe rrjetin e ujësjellësit.

Banorë: “Mos hajdeni të ma prishni malin se populli është fukara. Me këtë mal han bukë populli.”

“Me thënë të drejtën, fshati ynë bëhet i pabanueshëm. Shtëpitë rrezikohen, ujësjellësi rrezikohet.”

“I bëjmë thirrje pushtetit lokal, kujtdo që të mundet që ta pengojnë këtë gjë.”   

Dëme të mëdha thonë ata i bëhen edhe ekosistemit, si dhe kullotave për gjënë e gjallë.

Madje një grua tregon se ky mal është burimi i vetëm i të ardhurave për 7 pjestarët e familjes së saj, pasi aty mbledh sherbelën që i siguron jetesën.

“Unë kam dalë të mbledh sherbelë sot, shikoni thasët. Unë kam 7 anëtarë në familjen time, nuk kemi asistencë, as punë, asgjë. Vetëm me këto jetojmë.”

Më herët këta banorë i janë drejtuar me një shkresë që mban 120 firma, presidentit të Republikës Ilir Meta, ministrit të mjedisit Klosi dhe kryetares së bashkisë Ademi, por askush deri në këtë moment nuk ka dhënë përgjigje.

Duke iu përgjigjur interesimit të Ora News në Bashkinë e Shkodrës thanë se nuk kanë dhënë asnjë leje, madje një zyrtar tha përmes telefonit se momentin që jepet leje minerare nga Ministria në Tiranë, sipërfaqja hiqet nga fondi pyjor i Bashkisë.

Një ditë më parë, Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi tha se biznesi i guroreve nuk mund të ngrihet në kundërshtim me mjedisin dhe komunitetin dhe ky biznes duhet të zhvillohet në bazë të standardeve të reja.

/Ora News.tv/