Shiu paralizon qarkullimin në rrugët e Tiranës

Shiu paralizon qarkullimin në rrugët e Tiranës

Shtimi i reshjeve ka nxjerrë pothuajse jashtë kontrollit situatën e trafikut në Tiranë. Radhët e gjata të automjeteve qëndrojnë me orë të bllokuar ndërkohë që shtimi i policëve rrugorë në kryqëzime duket se vetëm sa ka shtuar kaosin. Megjithë masat e marra për përballimin e situatës gjendja e trafikut mbetet e rënduar ndërkohë që një prej shkaqeve është edhe rritja e numrit të automjeteve që qarkullojnë në orë të caktuara.

Trafiku rrugor në kryeqytet është kthyer në një vështirësi të përditshme për qytetarët pas fillimit të reshjeve. Kryqëzimet por edhe shumica e rrugëve kryesore, ajo e Durrësit, Kavajës, Unaza në dy krahët e saj dhe shumë akse të tjera janë më problematiket.

Me ngarkesë mjetesh dhe pritje të gjata në trafik shoqërohet lëvizja në hyrje të rrethrrotullimit të doganës.

Në këtë situatë të rënduar Policia Rrugore ka ndërmarrë një plan për mbarëvajtjen e trafikut, por siç duket dhe nga pamjet efekti ka qenë thuajse zero. Mbi 60 efektivë të policisë rrugore janë pozicionuar në kryqëzimet e Tiranës, për të menaxhuar lëvizjen e automjeteve. Sipas statistikave në shumë prej akseve problematike ka pasur shtim të numrit të mjeteve që qarkullojnë për orë.

Në pjesën e unazës së re, janë numëruar në ditë të caktuara mbi 1500 makina për orë ndërkohë që në akse të tjera të kryeqytetit lëvizja ka qenë deri në 1 mijë makina për orë.

EMISIONET