Një punonjës policie nga Laçi është arrestuar nga SHÇBA në bashkëpunim me Policinë e Hamburgut dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Laç.

Në pranga u vu inspektori me iniciale E.I., 32 vjeç, me detyrë punonjës policie në Seksionin e Policisë Rrugore, pranë Drejtorisë së Policisë Vendore Lezhë, pas shiste sende të vjedhura nga i vëllai në Gjermani.

Në kuadër të bashkëpunimit me partnerët gjermanë, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, mbi procedimin penal nisur në vitin 2018, u finalizua me sukses operacioni ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të SHÇBA-së dhe Policisë së Hamburg-ut, për arrestimin e Inspektorit E.I., 32 vjeç, me detyrë punonjës policie në Seksionin e Policisë Rrugore, pranë DVP Lezhë.

Procedimi ka nisur nga Gjermania-"Ky procedim lidhet me një hetim të nisur nga autoritetet gjermane për vjedhje banesash në kuadër të grupit kriminal. Në qytetin e Hamburgut janë arrestuar dhe ndiqen në gjendje të lirë disa persona, në mes tyre edhe vëllai i efektivit të Policisë Rrugore në Lezhë.  Në kuadër të hetimeve përgjatë vitit 2019 është dokumentuar se punonjësi i Policisë ka pranuar sendet e vjedhura nga i vëllai në Gjermani duke i përdorur përkohësisht, e shitur më vonë në treg. Ekspertë të Policisë së Hamburgut ishin në Tiranë si pjesë e kryerjes së veprimeve operacionale në terren, së bashku me SHÇBA dhe drejtuesit e Prokurorisë në Laç", thotë policia.

Nga kontrolli i ushtruar në banesën e efektivit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sende të vjedhura, me vlerë të lartë në treg, si orë, bizhuteri, pajisje kuzhine, pajisje elektronike etj., por edhe një armë gjahu pa leje. Të gjitha sendet dyshohet se janë vjedhur në shtetin gjerman.

Po ashtu në Landin e Hamburgut u arrestua një grup i strukturuar kriminal në fushën e vjedhjeve, 3 prej autorëve janë dënuar me vendim të formës së prerë dhe po vuajnë dënimin në shtetin gjerman.

/Ora News.tv/