Ekspertë të ekonomisë nuk presin  ndryshim të marrëdhënieve tregtare në rajon pas marrëveshjes trepalëshe Serbi-Shqipëri-Maqedoni e Veriut. Zef Preçi deklaron se Kosova nuk duhej të përjashtohej ndërsa  me rëndësi thekson heqjen e barrierave tregtare. Ndërkohë për Besart Kadinë kjo marrëveshje është më shumë me nocion politik pasi ne i kemi të ulta marrëdhëniet ekonomike me rajonin.

Ekspertët e shohin me rezerva mundësinë e përfitimit të Shqipërisë nga marrëveshja e nënshkruar në Novi Sad. madje fakti që Kosova nuk ishte pjesë e këtij takimi, sipas tyre tregon se është Serbia që do të ketë më shumë mundësi.

Zef Preçi: Lënia jashtë e Kosovës nuk i shërben qëllimit të mirë të forcimit, të bashkëpunimit  tregtar në fushën e investimeve, në fushën e kapitaleve dhe mallrave. Nuk mund të ketë Ballkan Perëndimor të integruar qoftë në vetvete, qoftë në raport me Evropën duke lënë jashtë Kosovën. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Malin e Zi.

Për Besart Kadinë takimi Serbi-Shqipëri-Maqedoni e Veriut ka më tepër nocion politik  pasi Shqipëria marrëdhëniet tregtare i ka me vendet e BE-së

Besart Kadia: Ka shumë pak shkëmbime me vendet e rajonit, sepse vetë natyre e produkteve dhe shërbimeve që ofrohen nga këto ekonomi janë të ngjashme. Për këtë arsye kjo marrëveshje e shengenit përveçse ka një konotacion politik, ku shihet Serbia si një shtet, i cili po mundohet të integrohet në vendet e tjera të tjera të rajonit, por fatkeqësisht po përfundon me Serbinë si lidere të rajonit.

Axhenda e bisedimeve në Novi Sad ka qenë eliminimi i barrierave tregtare e doganore për shërbimet, mallrat, njerëzit dhe kapitalin.

Në këtë projekt parashikohet të krijohet një treg i përbashkët rajonal ku Serbia nuk përjashton edhe përfshirjen e Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës. deri më tani krerët e lartë të  Kosovës por edhe Malit të Zi e kundërshtojnë idenë me pretendimin se rikthen pas ish-Jugosllavinë.

/Ora News.tv/