SHBA shton presionin, vendos sanksione ndaj 6 shtetasve iranianë e 3 kompanive

SHBA shton presionin, vendos sanksione ndaj 6 shtetasve iranianë e 3

Shtetet e Bashkuara kanë shtuar presionin ndaj Iranit. 6 shtetas iranianë dhe 3 kompani janë sanksionuar, me argumentin se kanë financuar “aktivitetin keqbërës” të ushtrisë elitare iraniane. Masat e reja parashikojnë sanksione edhe për kompanitë europiane që kanë lidhje tregtare me firmat iraniane. Por kjo ka sjellë reagimin e ashpër të Francës, që argumenton se Europa nuk mund të paguajë çmimin për një vendim të Shteteve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj 6 individëve dhe 3 kompanive që Uashingtoni thotë se kanë lidhje me forcën ushtarake të Iranit, Trupat e Gardës Revolucionare. Sekretari i Thesarit Steve Mnuchin deklaroi se penalizimet kanë në shënjestër ato subjekte që kanë kanalizuar miliona dollarë për grupin ushtarak, duke financuar “aktivitetin e tyre keqbërës”.

Penalizimet e reja vijnë vetëm dy ditë pasi presidenti Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e Iranit dhe premtoi shtim të presionit ndaj Teheranit. Kreu i Uashingtonit e konsideron Gardën Revolucionare Iraniane një “forcë terroriste të korruptuar dhe milici”, ndërkohë që këto nuk janë masat e para të vendosura ndaj këtij grupimi.

Por Franca e ka dënuar si “të papranueshme” rivendosjen e sanksioneve ndaj kompanive që tregtojnë me Iranin. Sipas ministrit të jashtëm francez, kompanitë europiane nuk duhet të paguajnë për vendimin e Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni deklaroi se firmat kanë 6 muaj kohë për të pezulluar lidhjet tregtare dhe se nuk mund të hyjnë në kontrata të reja me kompanitë iraniane, përndryshe do të ketë sanksione. Por kompanitë europiane rrezikojnë të humbasin miliarda dollarë investime të kryera me firma iraniane që prej nënshkrimit të marrëveshjes bërthamore në 2015.

EMISIONET