SHBA: Qeveria të mos emërojë individë nën aktakuzë aktive për krime të rënda në Kosovë

SHBA: Qeveria të mos emërojë individë nën aktakuzë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin thellësisht të shqetësuara nga veprimi i qeverisë së Kosovës për emërimin e individëve të pakualifikuar në pozita të larta qeveritare – përfshirë edhe individë të dënuar për krime lufte, individë nën aktakuzë aktive për krime të rënda dhe të dyshuar për keqpërdorim të rëndë të pozitës.


Në një komunikatë të ambasadës amerikane në Prishtinë të publikuar të martën thuhet: "Në demokraci, individët e emëruar në pozita të nivelit të lartë duhet të rrezatojnë fytyrë etike dhe të kualifikuar para botës; fatkeqësisht shembulli i Kosovës sa i përket emërimeve paraqet të kundërtën. Individët e pakualifikuar, të cilët janë dënuar nga drejtësia apo janë duke u ndjekur në mënyrë aktive për krime të rënda, si dhe ata që kanë shfaqur gatishmëri për të vepruar, të sigurtë se nuk do të dënohen, dhe kanë keqpërdorur autoritetin e tyre, nuk kanë vend në pozitë zyrtare. Nominimi i këtyre individëve të pakualifikuar minon besimin e publikut që Kosova po përpiqet ta ndërtojë, e privon vendin nga mundësia për të pasur individë kompetentë, me nam dhe më se të kualifikuar për të kryer punën në qeveri dhe i çnderon viktimat e krimeve të kaluara të këtyre individëve. Po ashtu, kjo gjë pengon përparimin e Kosovës drejt ndërtimit të namit në rrafshin ndërkombëtar që do ta bënte atë partnere të dëshirueshme për vendet e tjera dhe forcon pozicionin e kundërshtarëve që do të pohonin se Kosova nuk është e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit.

Natyrisht, individët duhet të kenë mundësi për të rindërtuar jetën e tyre pas këtyre shkeljeve të të kaluarës: ashtu siç ka thënë Bryan Stevenson, avokat dhe humanitar amerikan: „Secili prej nesh është më shumë se gjëja më e keqe që e kemi bërë ndonjëherë”. Por, madje edhe përderisa historia rikujton kontributet pozitive të individëve, si dhe dështimet e tyre, disa sjellje do të duhej të çkualifikonin përjetësisht një individ nga pozita zyrtare: përfshirja në krime të rënda do të duhej të ngrinte shqetësim për përshtatshmërinë e një personi që ndonjëherë të mbajë një pozitë të tillë.

I nxisim qytetarët e Kosovës, si dhe udhëheqësit e saj për të reflektuar se çfarë fytyre duan që Kosova t’ia tregojë botës. Iu bëjmë thirrje udhëheqësve të Kosovës për ta marrë këtë çështje seriozisht dhe të ndalen e ta prapësojnë këtë prirje të emërimit të individëve, disa prej të cilëve ambasada tashmë i ka cekur me emër, përzgjedhja e të cilëve duket se çon përpara qëllimet afatshkurta politike e jo nevojat legjitime të qytetarëve të Kosovës ose kredibilitetin e shtetit." 

Gjatë muajve të kaluar në disa raste ambasada amerikane por edhe diplomatët tjerë perëndimorë kanë tërhequr vërejtjen për emërime politike në poste të rëndësishme.

Në fillim të muajit mars diplomatët amerikanë dhe evropianë reaguan me kritika të rrepta ndaj vendimit të parlamentit të Kosovës për emërimin e Naser Shalës në postin e drejtorit të Sekretariatit të Agjencisë së Krahasimit dhe Vërtetimit të Pronës në Kosovë.

Më herët në muajin shkurt ambasadori amerikan Philip Kosnett kundërshtoi emërimin e ish komandantit të shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, në postin e këshilltarit të kryeministrit Ramush Haradinaj. 

EMISIONET