SHBA nxit formimin e SPAK, dakord për formatin 8+2

SHBA nxit formimin e SPAK, dakord për formatin 8+2

Ndihmëssekretari i Shtetit të ShBA-së, Jorgan K. Andrews, është takuar me kryetarin e KLP në Tiranë, Gent Ibrahimin, ku ka nxitur përshpejtimin e procedurave për formimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion,  SPAK.

ShBA duket se do të ofrojë mbrojtje për Prokurorët e kësaj njësie me qëllim që ata të jenë të pa ndikuar nga çdo lloj presioni.

KLP njoftoi se Jorgan K. Andrews, i caktuar në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit mbikqyr programet e kësaj Byroje në Europë dhe Azi, duke përfshirë edhe Afganistanin dhe Pakistanin.

Në takim ishte e pranishme edhe Leyla Moses-Ones, e ngarkuara me punë e SHBA në Shqipëri, si dhe dy përfaqësuesit e OPDAT, Julie Craven dhe Michelle Lakomy.

Gjatë takimit Ibrahimi theksoi se në dhjetë muaj, KLP ka ngritur infrastukturën ligjore solide për ngritjen e SPAK.

"Këshilli është në hapat e fundit për dy procese të rëndësishme: zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm dhe ngritja e SPAK. Po shikojmë hapësirat ligjore për ngritjen e SPAK me 8 prokurorë tashmë të kaluar në vetting dhe 2 prokurorë të komanduar nga lista e kandidatëve të kualifikuar peë SPAK, të cilët kanë kaluar vettingun  me vendim të formës së prerë".

Nga ana tjetër, zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Jorgan K Andrews ka siguruar se SHBA do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.

"Jemi të ndërgjegjshëm për presionin me të cilin përballet KLP dhe jemi të vendosur t'ju ofrojmë mbështetjen tonë për mbrojtjen e prokurorëve të SPAK. Keni ngritur një bazë ligjore të fortë për institucionet e reja të drejtësisë, e aftë të mbajë larg korrupsionit dhe presioni i politikës mbi këto strukturat. Duhet ndryshuar mentaliteti për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend sepse tani do të keni instrumentat e duhura".

Të hënën KLP dështoi të vazhdojë procedurën e formimit të SPAK pas kërkesës së anëtarit Besnik Cani për shtyrjen e mbledhjes.

EMISIONET