Trupi i një personi është gjetur në një kabinë të përfshirë nga flakët në Kaliforni, aty ku një individ, i cili besohet të ketë qenë një ish-polic i akuzuar për 3 vrasje, ngriti qëndresën e tij të fundit ndaj policisë. Në këtë ngjarje ka patur edhe të shtëna, nga të cilat bëhet e ditur se një zëvendës-sherif është vrarë dhe një tjetër është plagosur. Tym dhe flakë kanë përfshirë më pas kabinën në zonën “Big Bear”, ndërkohë që forcat e ndërhyrjes së shpejtë shkuan në vendngjarje. Agresori besohet të jetë Christopher Dorner, 33 vjeç. Ndërkohë, një tjetër polic i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, prej plagëve të marra, por pritet të mbijetojë. Christopher Dorner akuzohet për 3 vrasje, të kryera në shenjë hakmarrje për shkarkimin e tij në 2008-n. Rreth 200 zyrtarë të zbatimit të ligjit rrethuan kabinën në “Seven Oaks”, në jug të “Big Bear”, një zonë malore pranë maleve “San Bernardino”. Në një konferencë për shtyp, u konfirmua nga Cindy Bachman se një zëvendës sherif ndërroi jetë pas shkëmbimit të zjarrit: “Ai u deklarua i vdekur në spital”. Në momentet e para nuk dihej vendndodhja e agresorit, nëse ishte brenda kabinës apo jashtë, por pas rrethimit të zonës edhe me përforcime nga ajri, u gjet kufoma e tij në brendësi të kabinës, e cila mendohej se ishte e mbushur me municione. I dyshuari u përpoq të linte kabinën, përmes derës së pasme, por u rikthye sërish brenda. Gjithsesi ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet, nëse viktima është Dorner apo jo.

/Ora News.tv/