28 organizata dhe kompani kineze janë ndëshkuar nga qeveria amerikane për përfshirje në abuzimin dhe shkeljen e të drejtave të grupeve minoritare myslimane në rajonin kinez të Shin-xhiangut. Në kampet e internimit që njihen zyrtarisht si qendra trajnimi profesional raportohet se strehohen mbi 1 milionë banorë.

Dyshimet se prej vitesh përkrahin abuzimin e minoritetit ujgur në provincën kineze të Shinxhiangut ka futur 28 organizata në listën e zezë të Amerikës.

Departamenti amerikan i Tregtisë njoftoi se një numër agjencish qeveritare por edhe kompani kineze të specializuara në aparaturat e mbikëqyrjes nuk do të mund të blejnë më produkte dhe teknologji nga simotrat amerikane pa lejen e Uashingtonit.

"Këto ente, duke u përfshirë në shkeljen e të drejtave dhe abuzimin e njerëzve, kanë zbatuar fushatën e egër shtypëse të Kinës, burgosjen në masë dhe arbitrare, dhe këqyrjen me teknologji moderne të ujgurëve, kazakëve dhe pjesëtarëve të tjerë të grupeve minoritare myslimane në Shinxhiang," njoftoi ministria amerikane.

Kina raportohet se në dy-tri vitet e fundit ka ngritur në rajonet autonome në perëndim kampe të ashtuquajtura "çradikalizimi apo çekstremizimi" ku ruhen mbi një milion ujgurë me prejardhje turke dhe etni të tjera myslimane.

Pekini zyrtarisht i cilëson ambientet "qendra trajnimi profesional" ku të ardhurve u ofrohet punë dhe ndihmohen të integrohen më shoqërinë kineze.

Por ish-banorët e kampeve i krahasojnë ato me qendra internimi, ku njerëzit detyrohen të heqin dorë nga feja islame, të flasin vetëm kinezisht dhe të mësohen t'i binden qeverisë komuniste dhe jo perëndisë.

Të martën, vendimi i qeverisë amerikane për kompanitë kineze u kritikua nga Pekini, i cili bëri apel për mosndërhyrje në çështjet e brendshme të vendit.

Persekutimi i minoriteteve myslimane në Shinxhiang u dënua në muajin korrik edhe nga organizata e OKB-së.

/Ora News.tv/