SHBA: E pabesueshme që Kosova po injoron këshillën tonë për taksën

SHBA: E pabesueshme që Kosova po injoron këshillën tonë

Përfaqësuesit e lartë të Kosovës kanë pranuar një letër nga zyrtarë të lartë amerikanë, të cilët kanë shprehur zhgënjimin e tyre lidhur me mospezullimin e taksës doganore, ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Në letrën të cilën e kanë nënshkruar, Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, Ndihmëssekretarja e Mbrojtjes, Laura Cooper dhe Zv/drejtor për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, John Earth, thuhet se pas kërkesave të vazhdueshme të SHBA-së për pezullimin e tarifës, kanë vendosur që të ndërmarrin hapa “për të shprehur shqetësimin tonë, përfshirë edhe partneritetin tonë në fushën e sigurisë”.

“Si fillim, kemi vendosur të anulojmë vizitën e planifikuar të Gjeneralit (Timothy) Orr nga Garda Kombëtare e Iowa-s, në Kosovë. Vizita e tij kishte për qëllim të përqëndrohej në bashkëpunim bilateral në fushën e sigurisë”, thuhet në letër.

Zyrtarët amerikanë, në letrën që i kanë dërguar presidentit Hashim Thaçi, kryeparlamentarit, Kadri Veseli dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, thonë se “është e pabesueshme” që Kosova po injoron këshillën e Shteteve të Bashkuara për pezullimin e taksës doganore.

“Kosova nuk ka mik më të mirë se Shtetet e Bashkuara. Ne kemi punuar së bashku për vite të tëra për të ndërtuar të ardhmen, për popullin e Kosovës që të jetojë ashtu si ka zgjedhur, në paqe”.

“Është e pabesueshme që pas gjithë asaj që kemi bërë së bashku, Kosova vlerëson miqësinë tonë kaq ulët, aq sa të injorojë këshillën tonë. Shtetet e Bashkuara vazhdojë të jenë të gatshme të ndihmojë dhe të përkrahin Kosovën që të arrijë një marrëveshje për normalizimin e raporteve me Serbinë, që do të përqendrohej në njohje reciproke, që do të ishte afatgjatë, e zbatueshme dhe do të përfitonin të dyja palët. Për 20 vjet ky ka qenë një qëllim i pamundur. Edhe pse ende ka vështirësi, kjo rrugë duhet të ndërmerret për të pasur siguri dhe prosperitet”, thuhet në letër.

Sipas Palmer, Cooper dhe Earth, vazhdimi i dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të vazhdojë pa pezullimin e tarifës. Ata thonë, se pa një vendim të tillë, raportet SHBA-Kosovë, nuk mund të rikthehen ashtu siç kanë qenë.

“Qëllimi ynë është që të shohim se Serbia, por edhe Kosova, veprojnë përgjegjshëm që dialogu t’i kthehet normalitetit. Hapi i parë drejt kësaj është pezullimi i tarifave. Derisa nuk e keni bërë një gjë të tillë, ne nuk mund të kemi raportet ashtu siç i kemi pasur”, thuhet në fund të letrës.

Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë taksën, e cila është vendosur nëntorin e vitit të kaluar.

Për një pezullim prej 120 ditësh është shprehur kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po ashtu ka kërkuar pezullimin e kësaj mase.

Por, kryeministri, Ramush Haradinaj vazhdon të këmbëngulë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia ta njoh shtetin e Kosovës./REL/


EMISIONET