Shahini-pedagogëve: Jo bojkot dhe ultimatum, ne do ju dëgjojmë, por do udhëheqim

Shahini-pedagogëve: Jo bojkot dhe ultimatum, ne do ju dëgjojmë,

Pas takimit me një përfaqësi pedagogësh, ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka dalë në një deklaratë për mediat për të bërë publik qëndrimin e saj.

Shahini tha se nuk janë të nevojshme bojkotet e ultimatumet, pasi qeveria është e përqendruar në arsimin e lartë.

Besa Shahini: Unë mendoj se në mënyrë që të ecim përpara fuqizimi i strukturave ekzistuese demokratike nëpër universitete është mënyra më e mirë për përfshirjen e pedagogëve në diskutim dhe zgjidhjen e disa çështjeve që ata me të drejtë i nënvizojnë, por që adresa e zgjidhjeve nuk është gjithmonë këtu, por shpesh tek universiteti.

Unë i ftova këta pedagogë për tu ballafaquar dhe për tia shpjeguar paktin për universitetin. Me ta ndamë disa mendime të ndryshme, por e bindur që kemi një qëllim të përbashkët, përmirësimi i arsimit në Shqipëri. Ata më dëgjuan mua dhe unë i dëgjova ata, edhe pse nuk u dakordësuam në fund, por unë mendoj që kjo është normale.

Ishte një takim që shërbeu për të shuar një sërë keqkuptimesh që disa prej pedagogëve kishin për Paktin për Universitetin. Ne do të vazhdojmë të dëgjojmë të gjithë, por do të vijojmë duke udhëhequr.

Shumica e pedagogëve dhe studentëve janë mbështetës për paktin për universitetin. Janë pjesëmarrës në dialogun që kemi filluar dhe po na çojnë sugjerimet si ta përmirësojmë këtë  dokument, që më pas do të jetë një kontratë mes qeverisë stafeve akademike dhe studentëve për të çuar përpara idetë më të mira për arsimin e lartë në Shqipëri.

Gjatë këtyre takimeve po projektojmë edhe nevojat infrastrukturore në projekte konkrete që më pas do të rezultojnë në përmirësimin e infrastrukturës në Universitete.

Unë nuk besoj që bojkoti dhe ultimatumet janë mjete të nevojshme në këtë periudhë kur e gjithë vëmendja jonë është tek arsimi i lartë dhe kemi filluar një proces të mirëfilltë të dialogut.

EMISIONET