Mesazhet e sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton, dhe të shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe vazhdimi i dialogut mes tyre nuk nënkuptojnë se Serbia duhet të njohë Kosovën, janë të pritshme, ka thënë profesori i studimeve ndërkombëtare në Universitetin Jones Hopkins, Daniel Serwer. “Mendoj se çështja e njohjes për kohë të gjatë nuk do të jetë në rend të ditës, prandaj edhe nuk jam i habitur përse zyrtaret nuk kanë insistuar në një gjë të tillë”, ka thënë Serwer. Ai ka kujtuar se shumë anëtarë të Bashkimit Evropian e kanë bërë të qartë se nuk do të ketë anëtarësim të plotë të Serbisë në BE nëse nuk ka normalizimi të plotë të marrëdhënieve diplomatike  me Kosovën. “Hyrja e Serbisë në Bashkimin Evropian është ndoshta një dekadë larg, në mos më shumë, prandaj mendoj se është herët të shqetësohemi për të”, ka thënë Serwer. Ai e ka vlerësuar lart mesazhin e zonjës Clinton se nuk do të ketë ndryshim të kufijve në Evropë. “Edhe pse shumë në Beograd nuk duan ta dëgjojnë, ai padyshim është një mesazh i qartë dhe nuk duhet të injorohet”, ka thënë Serwer. Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë disa herë se zgjidhja më e mirë dhe më reale është ndarja e Kosovës. Clinton dhe Ashton kanë qëndruar në Beograd të martën, ku kanë takuar presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikolliç, dhe kryeministrin Daçiç. Ato sot kanë vazhduar vizitën në Prishtinë, ku kanë përsëritur thirrjen për normalizim marrëdhëniesh Kosovë-Serbi.

/Ora News.tv/