Tjetër largim nga Manchester United, me lojtarin që zgjedh Seria A për të vijuar karrierën.

Pas Romelu Lukaku dhe Alexis Sanchez që firmosën me Interin, një tjetër emër i rëndësishëm i "djajve të kuq" ka zyrtarizuar kalimin te një skuadër italiane. Bëhet fjalë për Chris Smalling, i cili ka nënshkruar në formulën e huazimit për një sezon me Romën.

Konfirmimi ka ardhur nga faqja zyrtare e klubit kryeqytetas. Për të marrë Smalling në "Olimpico", verdhekuqtë paguan 3 milionë euro në arkat e United, por nuk ka një mundësi për ta blerë përfundimisht. 29-vjeçari u bashkua me Unitedin nga Fulham në vitin 2010, ku bëri mbi 300 paraqitje për "Djajtë e Kuq", duke fituar dy tituj të Premier League, dy Kupa të vendit dhe Europa League

Ndërkohë, Gregoire Defrel do të jetë një futbollist i Sassuolës. Ai kthehet pas dy viteve te Sassuolo me një huazim prej 3 milionë euro me detyrimin për ta blerë për 9 milionë euro, plus dy milionë bonuse.  28-vjeçari shënoi 23 gola në dy sezone në stadiumin "Mapei" midis  viteve 2015 dhe 2017, përpara se të bashkohej me Romën për 20 milionë euro.

/Ora News.tv/