Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivan Mrkiç ka deklaruar se ministria e tij është përqendruar në mbështetjen e ekipit negociator me Prishtinë dhe në aktivitetet që Kosova të mos futet në rendin e shteteve sovrane. Kryediplomati serb ka thënë në mbledhjen e Këshillit për Kosovën të Kuvendit të Serbisë, ku po debatohet për aktivitetet e qeverisë lidhur me Kosovën, se shteti dhe ministria e tij me aksione të ndryshme diplomatike por përpiqet ta pengojë çfarëdo themelimi të shtetësisë së Kosovës dhe njohjen e mëtejshme të pavarësisë së saj. “Aktivitetet e Ministrisë së Jashtme janë orientuar në pengimin që Kosova të futet në rendin e shteteve sovrane. Me këtë nuk e bllokojmë komunikimin me Prishtinën dhe nuk dëshirojmë të vështirësojmë jetën e qytetarëve në Kosovë, por me këtë e pengojmë ndërtimin e subjektivitetit ndërkombëtar të të ashtuquajturit shtet i Kosovës”, ka theksuar Mrkiç. Duke ua paraqitur deputetëve raportin mbi atë çfarë ka bërë qeveria lidhur me Kosovën, ministri ka ripërsëritur se autoritetet e reja do t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura me Prishtinën dhe se në këtë proces veç po ecët, duke shtuar se është intensifikuar edhe komunikimi me kompetentët në Bruksel. Sipas tij pavarësinë e Kosovës tani e kanë njohur 90 vende kurse gjatë tre viteve të fundit ka ndodhur ngadalësimi i dinamikës së njohjeve.

/Ora News.tv/