Serbët më shumë të interesuar të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës

Serbët më shumë të interesuar të bëhen pjesë

Mbi 800 serbë të Kosovës kanë shprehur interesim që të bëhen e pjesë e Policisë së Kosovës. Nga ky numër, 432 prej tyre që kanë konkurruar dhe janë nga 4 komunat veriore të vendit, ndërsa prin Mitrovica e Veriut e pasuar nga Leposaviqi. Këtë e konfirmon edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi.

“ Jashtëzakonisht më shumë se sa kemi pritur, më shumë se sa kemi planifikuar, si proces edhe na ka shkaktuar këto vonesa, për shkak të konkurrencës dhe interesimit tepër të madh të atyre që dëshirojnë të veshin uniformën e zyrtarëve policorë”, tha Gashi.

Ndonëse aspekti social në vend nuk përjashtohet si arsye që mund të ketë joshur të rinjtë serbë për t’u bërë policë. Analisti serb, Ljubomir Stanojkoviq, thotë se kjo nuk është e rastësishme. Ai, dyshimet i hedh duke thënë se në njërën anë kemi pjesëtarë serbë të cilët largohen nga FSK-ja dhe në anën tjetër rritet interesimi për policinë.

“Shikoni, jemi dëshmitarë të faktit se në njërën anë është shtuar numri i aplikimeve për të punuar në Policinë e Kosovës, e në anën tjetër në mënyrë masive po i lëshojnë Forcat e Sigurisë së Kosovës. Këtu ka një arsye, nuk është veç rastësisht kjo, se pse në situatën në të cilën ndodhet Kosova, është vështirë të gjendet punë, edhe nëse punon në sektorin privat nuk e ke të sigurt se sa do zgjasë ai vend pune, prandaj të gjithë po përpiqen që të punojnë në sektorin publik. E njëri prej vendeve të punës, që është më së shumti i kërkuar, që është më atraktiv dhe interesant dhe sigurisht edhe me i pranuar për të rinjtë, e sidomos të komunitetit serb, është puna në Policinë e Kosovës”, tha Stanojkoiq, citon RTK.

Kurse kryetari i Partisë Serbe Progresive Demokratike, Nenad Rashiq, thotë se presioni për largimin e pjesëtarëve serbë nga FSK-ja, erdhi vetëm për t’i zëvendësuar me serbët të cilët vijnë nga komunat veriore. Madje Rashiq thotë se institucionet e Kosovës, pavarësisht kritereve të një konkursi, favorizojnë serbët nga veriu i vendit.


EMISIONET