Senati e shfajëson presidentin Trump nga akuzat

Senati e shfajëson presidentin Trump nga akuzat

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u lirua nga akuzat për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit, të cilat përbëjnë bazë për shkarkim nga detyra.

Senati i Shteteve të Bashkuara, i udhëhequr nga Partia Republikane e presidentit, votoi të mërkurën për shfajësimin e tij.

Votimi u zhvillua veç e veç për të dyja akuzat.

Për akuzën e parë - abuzim të pushtetit - 52 senatorë votuan për shfajësimin e presidentit, ndërsa 48 për fajësimin e tij.

Ndërkaq, për akuzën e dytë - pengim të punës së Kongresit - 53 vota ishin për shfajësim, 47 për fajësim.

Për shkarkimin e presidentit nga detyra do të duheshin dy të tretat e votave të Senatit prej 100 anëtarësh.

Nga Partia Republikane vetëm Mitt Romney votoi për fajësimin e tij për abuzim të pushtetit.

Akuzat kundër Trumpit janë ngritur në muajin dhjetor nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së, e udhëhequr nga demokratët.

Në janar, çështja ka kaluar në Senat, ku akuzuesit dhe ekipi mbrojtës i presidentit kanë paraqitur argumentet e tyre.

Trump është presidenti i tretë në historinë e Shteteve të Bashkuara që është përballur me mundësinë e fajësimit nga Senati dhe rrjedhimisht shkarkimin nga detyra.

Sipas akuzave të ngritura, Trump i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për rivalin e tij politik, Joe Biden.

Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump është akuzuar për mbajtjen e dy gjërave pezull: të ndihmës ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe të një takimi në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Me këto veprime, sipas demokratëve, Trump ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare.

Trump është akuzuar edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime./REL/

EMISIONET