Njerëzit që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare janë më të predispozuar për tu prekur nga kanceri në të ardhmen.

Kjo është gjetja e studimit më të fundit, i cili ka gjetur lidhje mes sulmit në zemër dhe kancerit.

Studimi do të paraqitet në Takimet Shkencore të Shoqatës Amerikane të Zemrës 2019, më 16-18 Nëntor në Filadelfia.

Njerëzit me një rrezik më të lartë për sëmundjet kardiovaskulare kanë gjithashtu një rrezik më të lartë të zhvillimit të kancerit.Gjithashtu, të mbijetuarit nga sulmi në zemër kanë një rrezik të rritur të zhvillimit të kancerit në krahasim me njerëzit pa sëmundje kardiovaskulare.

Duke përdorur të dhëna nga Studimi i Zemrës së Framinghamit, studiuesit morën për vlerësim 12.712 persona (mosha mesatare 51) pa sëmundje kardiovaskulare ose kancer në fillim të studimit.

Vlerësimi i rrezikut kardiovaskular për 10 vitet e ardhshme bëhet nga algoritmi i American Heart Association / American College of Cardiology i quajtur ASCVD dhe u shfaq në 2013 në udhëzimet AHA / ACC për uljen e kolesterolit.

Vlerësuesi i Riskut ASCVD është një mjet që ndihmon në parashikimin e rrezikut të një personi për të zhvilluar sëmundje të zemrës brenda 10 viteve dhe supozon se nuk ka pasur sulm paraprak në zemër ose goditje në tru.

Studimi përdori gjithashtu një numër biomarkerish, molekula që lëshohen në qarkullimin e gjakut kur zemra është e dëmtuar, për të vlerësuar rrezikun kardiovaskular.

Gjatë periudhës së studimit prej gati 15 vitesh, kanë ndodhur 1.670 raste të kancerit (19% gastrointestinal, 18% të gjirit, 16% prostatës, 11% mushkëri).

Studiuesit zbuluan se:

-Faktorët e rrezikut kardiovaskular, përfshirë moshën, gjininë, tensionin e lartë dhe pirjen e duhanit, ishin të lidhur me kancerin.

-Njerëzit me një rrezik ASCVD 10-vjeçar mbi 20% kishin më shumë se tre herë të ngjarë që të zhvillonin ndonjë lloj kanceri sesa njerëzit që kishin një rrezik 10-vjeçar ASCVD nën 5%.

-Individët që zhvilluan sëmundje kardiovaskulare gjatë periudhës së studimit kishin një rrezik të rritur 7 herë të kancerit të mëvonshëm në krahasim me ata pa sulm në zemër.

-Ata me nivele të larta të BNP "peptidi natriuretik i tipit B" kishin më shumë të ngjarë të zhvillonin kancer sesa pjesëmarrësit me nivele të ulëta të BNP-së.




/Ora News.tv/