Selami Shkodra nga koalicioni Nisma-AKR-PD në Kosovë tha se sistemi i drejtësisë duhet të funksionojë i pavarur.

Ai tha se gjykatësit duhet të japin llogari para ligjit e jo para ministrave arrogantë.

“Gjykatësit duhet të nxjerrin vendime në kohë të arsyeshme, aktgjykimet të jenë tv arsyetuara dhe me bazë ligjore. Të njëjtin duhet të japin llogari vetëm interesave publike dhe ligjit, e jo ministrave arrogantë – siç është ky sonte këtu”, tha Shkodra duke iu referuar Ministrit të Drejtësisë në largim, Abelard Tahiri, raporton Klan Kosova.

E rëndësishme sipas Shkodres është që prokurorët dhe gjyqtarët të punojnë pa presion dhe pa ndërhyrje politike.

“Koalicioni ynë me të ardhur në pushtet ka për qellim një sistem të drejtësisë të pavarur, të paanshëm, efikas dhe të zellshëm. Vetëm kjo garanton që vendi të ketë një sistem të konsoliduar që premton një të ardhme duke përfshire edhe mundësinë e zhvillimit ekonomik , ku sundimi i ligjit është alfa dhe omega në këtë drejtim”, tha Shkodra. 

Shkodra përmendi disa faktorë që sipas tij kanë kontribuuar në problemet në sistemin e drejtësisë.

“Njëri ndër ta është faktori i personelit të sistemit të drejtësisë, Keshilli Prokurorial, Prokuroria e Shtetit, Këshilli Gjyqësor dhe vetë gjyqtarët. Një numër i madh i tyre janë të papërgatitur në kuptimin e specializimit sidomos në rrafshin e prokurimit publik. Kjo e bën të pamundur luftimin me efikasitet të korrupsionin dhe krimit të organizuar”.

Selami Shkodra gjithashtu tha se duhet të ketë reforma në drejtësi, duke theksuar se reforma e fundit përmbajtjesore ishte Ligji për Gjykata e vitit 2013.

/Ora News.tv/