Sekuestrimi pasurive të vëllezërve Hajri në Shijak, ja çfarë do të ndodhë me hotelin “Vila Golden"

Policia e Shtetit ka dhënë informacion lidhur me operacionin e parë të njësisë speciale Forca e Ligjit, i cili u finalizua me sekuestron mbi objektin kompleksi i shërbimeve “Vila Golden" dhe mbi një karburant të dhënë me qira një shoqërie për tregtimin e hidrokarbureve, që ndodhet në kryqëzimin Pjezge Xhafzotaj, Shijak, pronë e shtetasit Altin Hajri.

Ky shtetas është dënuar me burg nga autoritet italiane të drejtësisë, me urdhër arrestin e datës 15 gusht 2015, për veprën  penale “Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.

Aktualisht, ky shtetas është shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit, në funksion të hetimeve për rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës.

Policia thotë se sekuestrimi i këtij objekti dhe i të gjitha pronave të shtetasit Altin Hajri bëhet në bazë të  elementit të urgjencës të parashikuar në Ligjin Special.

Me vendosjen e kësaj mase sekuestroje, objekti kalon në administrim të Agjencisë së Administrimit të Aseteve, e cila në bazë të Ligjit Special është vendosur nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.

Ndërkohë dosja pasurore e shtetasit Altin Hajri sipas policisë  do t’i kalojë menjëherë SPAK-ut dhe në jo më shumë se 15 ditë SPAK-u duhet t’ia dërgojë Gjykatës Speciale, e cila ka 15 dite kohë për të konfirmuar masën e sekuestrimit duke hapur rrugën për konfiskimin përfundimtar të pasurisë së shtetasit Altin Hajri.

"Pas konfiskimit, pasuria në fjalë i kalon përfundimisht Ministrisë së Brendshme, e cila do të vendosë për shfrytëzimin ose shembjen e këtij objekti, si edhe do të marrë në zotërimin e saj  dhe do të përdorë për interesin publik paratë, makinat dhe tokat që aktualisht zotërohen nga ky shtetas" sqaroi policia.

Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturës së posaçme OFL thotë se është e vendosur që në bashkëpunim me SPAK-un dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit ta çojë deri në fund këtë operacion jetik, me interes të madh kombëtar e ndërkombëtar.

EMISIONET