Sejko:Tensionet politike do të godasin ecurinë ekonomike dhe bizneset

Sejko:Tensionet politike do të godasin ecurinë ekonomike dhe bizneset

Ekonomia shqiptare do të ketë një rritje ekonomike më të moderuar gjatë viti 2019 e ndikuar kjo edhe prej krizës së tejzgjatur politike.Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, pranoi se rritja ekonomike dhe bizneset mund të goditen nga mungesa e stabilitetit politik. Ndërsa përsa i përket zhvlerësimit të euros, Sejko u shpreh se aktualisht Banka e Shqipërisë nuk do të ndërhyjë në treg.

Kriza e tejzgjatur politike në vend është kthyer në një shqetësim serioz për efektet negative në ekonomi.

Guvernatori, Gent Sejko, gjatë konferencës së radhës deklaroi se rritja ekonomike do të jetë më e zbehtë gjatë 2019, ndërsa për tre muajt e parë shënoi një rritje vetëm me 2.21 %, niveli më i ulët që prej 2015.

Kreu i Bankës Qendrore pranoi se zgjatja e mosmarrëveshjeve politike do të godasë bizneset.

Sejko: Rreziqet e kahut të poshtëm mbeten predominuese dhe janë forcuar më tej. Ato lidhen me ambientin e jashtëm, me ecurinë e kursit të këmbimit dhe ndikimin e tij në inflacion, me aftësinë që oferta për kredi do të ketë për t’iu përgjigjur përmirësimit të pritur të kërkesës, dhe së fundmi me situatën politike në vend. Zgjatja e mosmarrëveshjeve politike në vend do të reflektohet në klimën e biznesit dhe mund të godasë aktivitetin ekonomik. 

Nisur nga këto konsiderata, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se politika monetare do të vijojë të mbetet stimuluese edhe gjatë horizontit afatmesëm. Intensiteti i stimulit monetar do të përshtatet me shpejtësinë dhe qëndrueshmërinë e përmirësimit të aktivitetit ekonomik. Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të reagojë ndaj goditjeve të mundshme, me qëllim sigurimin e arritjes së objektivit të inflacionit.

Edhe pse monedha europiane ka arritur në kuotën e 122 lekëve dhe eksportuesit janë ankuar për efeket, Banka e Shqipërisë shprehet se nuk do të ndërhyjë në treg.

Guvernatori, Gent Sejko, bëri me dije se kredia për sektorin privat ka shënuar një rritje vjetore prej rreth 6.7% në muajt prill e maj, e cila ndonëse e moderuar është një sinjal pozitiv për përmirësimin e kërkesës dhe ofertës për kredi.

Banka e Shqipërisë la të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 1%.

EMISIONET