Botuar për herë të parë në vitin 1925, “Getsbi i Madh” është një metaforë për ambicien, lakminë, shpresën dhe fatin e parashkruar. Mund të themi se ky libër është vetë Amerika, përtej ëndrrës dhe sloganeve frymëzuese.

Heroi ynë i vështirë, Getsbi, jeton në një rezidencë të stërmadhe e gotike në Uest Eg, strehë e pasunarëve të rinj, nga ku ai mund të kundrojë për së largu molin e gjelbër të Lindjes, pragun ndarës mes tij dhe Deizi Bukenanit, shkëndijës së vjetër.

I veshur me mister, Getsbi mirëpret festa të çmendura në rezidencë, me shpresë se një ditë edhe Deizi do të shfaqet në pistën e vallëzimit.

Përbri parajsës së tij kallpe, zhvendoset Nik Karauei, një shkrimtar i ri, agjent i dështuar burse dhe, më e rëndësishmja, kushëri i Deizit të pakapshme. A është Niku çelësi për ta tërhequr më në fund Deizin në orbitën e Getsbit? Apo ylli i këtij të fundit do të shuhet para se të ndodhë e gjitha kjo?

Fuqia e Getsbit si personazh është e lidhur pazgjidhshmërisht me pasurinë e tij. Që në nisje të romanit, Fitzgerald e rrethon personazhin me një tis enigmatik. Askush nuk e njeh të shkuarën në hije të milionerit don zhuan, i cili duket se i gëzohet si fëmijë zhurmës dhe shkëlqimit që paraja krijon rreth tij.

Sidoqoftë, realiteti është i ndryshëm. Getsbi është një fatkeq i dashuruar dhe asgjë më shumë. Synimi i tij i ngjan një dimensioni të paprekshëm. Ambicia e tij është unike dhe ka veç një emër: Deizi.

Këtu lartohet gjenia e autorit. Getsbi është një specie në vetëndërtim të vazhdueshëm. Ai skalit aurën dhe mistiken për vetveten, duke përdorur si mjet fuqinë shkatërruese të vlerave të kalbura që shpaloste epoka e xhazit, të cilat s’janë fort të ndryshme nga kotësitë e sotme të shoqërisë së spektaklit.

Paratë, shkëlqimi dhe popullariteti, janë gjithçka që duhet të arrihet në këtë botë, me çdo kusht. Duke besuar se do mund te përdorë mjetet e sistemit për t’ia mbërritur qëllimit, Getsbi vetëm sa e thellon hendekun e dashurisë së pamundur me Deizin, duke kontribuar në rënien e pashmangshme.

Në faqet përmbyllëse të Getsbit të Madh, Niku na e rrëfen figurën e Getsbit në një kontekst më të gjerë. Ai e lidh atë me personazhet e shoqërisë së lartë pa të cilët duket se nuk bën dot. Të cekët, me mendje të manipuluara dhe meskine, njerëzit e festave nuk mund të shohin asgjë që gjendet përtej hundës së tyre, pasi ata nuk kanë kohë për botën dhe problemet e saj.

Vdekja e Getsbit simbolizon rrezikun që fshihet pas ushqyerjes së ndjenjave të epërme, në kontrast me situatën sociale dhe dramën e një dashurie të idealizuar, të pakthyer.

Kjo është tragjedia e një njeriu, që nën sipërfaqen e jetës së tij të admirueshme, fsheh një sekret, apo një dëshirë të heshtur, nga ato që s’përmbushen kurrë.


/Ora News.tv/