Franca, Holanda dhe Danimarka janë duke rishikuar pozitën e tyre të mbajtur për fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë. Lajmin e konfirmoi gjatë vizitës së tij në Shkup, Presidenti i Parlamentit Evropian David Sassoli. Ai shtoi se dy vendet duhet të vazhdojë rrugën e nisur, kurse institucionet e BE-së do të punojnë për hapjen rrugës më tej për të dyja vendet.

"Disa nga arsyet e tyre që i thanë duhet të rishikohen dhe të kuptohen dhe besoj se ata argumentime që u ngritën nga të tre qeveritë e të tre vendeve mund të tejkalohen. Mendoj se në këtë moment qeveri të caktuara janë në fazën e ndryshimit të mendimit, gjegjësisht i rishikojnë vendimet që ata kanë sjellë. Por, të theksoj, ne nuk kemi dëgjuar asnjë “jo” të prerë. Tani presim që për disa muaj të ndryshohet vendimi dhe kjo ndoshta do t’u japë mundësinë institucioneve të Maqedonisë së Veriut të fillojnë edhe me reforma të tjera, të mos ndalojnë”-tha David Sasoli, President i Parlamentit Evropian gjatë konferencës me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, raporton Alsat-m.

Sasoli hodhi poshtë mundësinë e marrjes së vendimeve të ndara për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Të njëjtin mesazh ai do ta përcjellë edhe në Tiranë gjatë vizitës në fillim të dhjetorit.

Kjo ishte vizita e parë zyrtare e Presidentit të sapozgjedhur të PE-së dhe është me ftesë të kreut të Kuvendit Talat Xhaferi, me të cilin po ashtu do të ketë takim gjatë vizitës dyditore.

Sasoli do të mbajë fjalim edhe para deputetëve në Kuvend.

/Ora News.tv/