Spitali Italian Salus sjell teknika të reja të trajtimit të sëmundjeve të Gastroenterologjisë ose siç njihet ndryshe të aparatit tretës. Risitë në këtë fushë janë trajtuar në një konferencë Internacionale mjekësore me temë "Sëmundjet Bileo - Pankreatike dhe Endoskopia Digjestive". Prof. Dr Andrea Ederle një mjek i njohur në këtë fushë në Itali shpjegon se tashmë praktikat më të avancuara po praktikohen edhe në spitalin ‘Salus’ në Tiranë. “Kjo konferencë është shumë e rëndësishme pasi do të diskutojmë për teknika të reja të shërbimit ndaj pacientëve. Aktualisht ne po praktikojmë teknika të endoskopisë në ‘Salus’ të cilat do të na lejojnë që të zgjidhim shumë probleme mjekësore por mbi të gjitha do të rrisim bashkëpunimin me mjekët shqiptarë si dhe do të ndajmë eksperianca. Ne kemi arritur që me teknologjinë më të fundit të trajtojmë shumë pacientë që kanë sëmundje të rënda si tumoret apo kancer në aparatin tretës me anë të endoskopisë”, tha ai. Zv.ministrja e shëndetësisë Milva Ikonomi deklaroi se se edukimi i mjekëve me praktikat më të fundit sjelll më shumë siguri për pacientët. “ Kjo konferencë i shërben edukimit në vazhdim të mjekëve, i shërben rritjes së sigurisë së pacientit dhe përdorimit të shkencave të reja inovative në fushën e shërbimeve të gastroenterologjisë dhe gjithashtu i jep mundësi të bëhët një kontroll më i mirë i sigurisë së pacientit”, tha Ikonomi. Gjatë punimeve të konferencës folën ekspertë të huaj dhe vendas për trajtimet më bashkëkohore mjekësore, endoskopike dhe kirurgjikale të aprovuara nga protokollet internacionale.

/Ora News.tv/