Salianji ankimon zgjatjen e hetimeve për "Babalen": Hetim politik, nuk ka arsye për zgjatje

Salianji ankimon zgjatjen e hetimeve për "Babalen": Hetim

Zgjatja me tre muaj të afateve hetimore për dosjen Babalja ku ndodhet nën hetim edhe deputeti demokrat Ervin Salianji ka bërë që ky i fundit ti drejtohet gjykatës për të ankimuar afatet hetimore. Vendimi pritet të jepet të hënën ndërsa Salianji pas daljes nga gjykata e ka cilësuar hetimin politik.    

Përreth 40 minuta, deputeti demokrat Ervin Salianji, ishte në Gjykatën e Krimeve të Rënda ku ankimoi vendimin për zgjatjen e hetimeve për çështjen "Babalja" të kërkuar nga prokuroria.

Teksa gjyqtari pritet të japë vendimin të hënën, Salianji në një deklaratë për mediat tha se ka vetëm një merak.

Salianji: Të hënën në orën 10 apo 12 u la marrja e vendimit nga ana e gjyqtarit. Nuk ka asnjë merak nga ana ime, ka vetëm një merak për zbatueshmërinë e ligjit dhe nxjerrjen para përgjegjësisë të personave që merren me trafik droge. Nuk e di çfarë ka kjo çështje që mund të jetë për 9 muaj. Gazetari që denoncon Jetmir Olldashi është ende në hetim ndërkohë që afatet e hetimit për Saimir Tahirin që akuzohet për trafik droge janë mbyllur.

Deputeti demokrat nuk kurseu akuzat nga Prokurorisë, teksa tha se ndaj tij po bëhet hetim politik.

Salianji: Është një prokurori terësisht politike dhe në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, prokurori që vazhdon çështjen është i njëjti prokuror që nuk ka guxuar të marrë vetë monstrat e zërit të vëllait të ish-Ministrit  Xhafaj por ja ka lënë të gjithë veprimet proceduriale policisë së shtetit në konflikt të plotë interesi. Prokurori tjetër që i është shtuar prokurorisë është një person që ka lidhje familjare të afërta me drejtuesin e Ministrisë së Brendshme sot. Është një hetim terësisht politik, nuk ka arsye për zgjatje të hetimeve.

Po bëhet vetëm për të mbajtur një tymnajë dhe për të mos i dhënë drejtim lidhjes së qeverisë me krimin dhe favorizimit të trafikut të drogës nga ana e qeverisë Rama dhe ish-Ministrit të Brendshëm  të tij. Ne kemi kërkuar proceduralisht thjesht për të mbajtur në dijeni publikun që vazhdon një hetim jo për personin që sot është në burg në Itali por për gazetarin dhe ne që e kemi denoncuar. Qeveria vazhdon të tentojë si në shumë gjyqe të tjera, se nuk është gjyqi i vetëm që kam me qeverinë për denoncime të aferave korruptive apo të lidhjes së saj me krimin. Po njësoj do ti denoncojmë. Për këto arsye kemi marrë një vendimmarrje që na çon te qytetarët. Nesër në orën 10 para parlamentit të gjithë qytetarët.

Çfarë tha avokati për çështjen?

Ledio Braho: Pretendimet tona ishin të qarta, ka të bëjë me pranimin e ankimit tonë për moszgjatjen e afateve të hetimit sepse e para prokuroria nuk ka arsyetuar asnjë veprim që do të kryejë, edhe sot në seancë nuk kishin asnjë ide në lidhje me veprimet që do të kryejnë.

Thjesht kërkojë të zvarrisin procesin duke ripyetur disa herë po të njëjtin person në hetim siç është Fredi Alizoti që në çdo rast ndryshon deklaratat. Por kjo nuk mund të jetë shkak që të zgjatet hetimi dhe për persona të tjerë në hetim si deputeti Salianji dhe gazetari Olldashi. Po ashtu prokuroria fajëson vetë sistemin se dosja është transferuar nga njëra prokurori në tjetrën. Për çështje administrative thonë kemi qenë të pamundur për të kryer veprimet.

Afatet hetimore përfundojnë në muajin prill por gjithësesi gjykata do të shprehet me vendim ditën e hënë në lidhje me ankimin që kemi bërë dhe shpresojmë që gjykata të pranojë ankesën.Pretendimet e prokurorisë kanë të bëjnë vetëm me ripyetjen e personit në hetim, Fredi Alizoti. Ai është me masë sigurie "arrest me burg" kështu që mund të ishte pyetur gjatë gjithë kësaj periudhe sa herë të kishin dëshirë prokurorët por si duket është çështja vetëm për të zvarritur procesin.

EMISIONET