Pas orësh e orësh konfirmimi se shkollat nuk kanë pësuar dëmtime, se mësimi do zhvillohet normalisht, se emergjencat po kujdesen në krah të solidaritetit mbi pasojat e tërmetit, të dielën në mbrëmje Ministria e Arsimit njofton se nesër e pasnesër nuk do të zhvillohet mësim.

E para, çfarë ndryshoi në sigurinë e ripërsëritur të Ministrisë për të mos lejuar fëmijët të shkojnë në shkollë? Duke argumentuar se psikologët kështu këshillojnë a nuk druhen për pasojat psikologjike të një paniku të dytë artificial?

E dyta, nuk mjaftoi konsultimi sot gjithë ditën, po u desh mbrëmja kur fëmijët janë duke u pregatitur për gjumë pasi kanë kryer edhe detyrat? Si po njoftohen stafet pedagogjike, kaos i dyfishtë për të sheshuar një kaos, që sot si prindër u rrekëm ta kryejmë përgjatë gjithë ditës?

E treta, si mund të ndihet më i qetë fëmija i vetëm në shtëpi kur prindërit janë në punë? Se prindërit nuk kanë njoftim për pushim psikologjik e pas një dite plot stres, i zë mbrëmja me një tjetër, ku e me kë të lënë fëmijët.

E katërta, shkolla e vajzës sime ka një ndërtim për të përballuar 12 ballë lëkundje, pallati 8. Pra siguria është më e madhe në shkollën njëkatëshe se pallatin 11 katësh. Kush e vendos se siguria është më e madhe duke mos e çuar në shkollë?

E pesta, a nuk do qe më mirë t’i kthehej normalitetit, me shokë e shoqe moshatarë, me ndarje përvojash e kujdes më special nga pedagogjia, që e ka pjesë të formimit edhe trajtimin psikologjik të nxënësve?

Sa shumë improvizime në punën e zyrtarëve tanë!

/Ora News.tv/